Mjeku Gjeneral që u bë President

schedule23:21 - 6 Qershor, 2022

schedule 23:21 - 6 Qershor, 2022

Nga Log.

Kjo është historia e mjekut që u bë gjeneral dhe e gjeneralit që u bë president. Kjo është historia… e presidentit të Edi Ramës.

Kur shumëkush priste që Edi Rama të pushtonte edhe kështjellën e fundit, Presidencën, kryesocialisti propozoi dikë që i kapi të gjithë të papërgatitur. Hiq Lorenc Vangjelin dhe ndonjë koleg tjetër, gjenerali është i panjohur në logun mediatiko-politik. Por kjo ka avantazhin që askush nuk mund ta akuzojë si njeriun e Edi Ramës. Shumëkush nga mazhoranca rendi ta urojë, duke nxjerrë foton e tij me uniformë ushtarake, pikërisht në momentin kur debati për këtë ishte në kulm. Krerët e shtetit, Meta, Nikolla, Rama, pritën, deri sa dolën fotot e reja, me rroba civile.

Por përtej një lloj gare se kush do ta uronte i pari, urimet me uniformë dhe spaleta ushtarake janë akoma aty, si për të na kujtuar pikërisht këtë debat, nëse mundet një gjeneral të bëhet president. Neni 167 i Kushtetutës është i qartë në këtë pikë, JO, një ushtarak aktiv nuk mund të zgjidhet në funksione të tjera!

Me urgjencë general-major Bajram Begaj dha dorëheqjen nga ushtria. Por kjo bëhet me dekret të presidentit, dmth Ilir Metës, i cili të shtunën ndodhej në Stamboll. Sali Berisha, përmes një statusi në FB, i bëri thirrje të hapur që “të mos lejonte këtë dhunim flagrant e tejet të rrezikshem të Kushtetutës”. Shqetësimi se dyshja Berisha-Meta do të funksiononte dhe Ilir Meta nuk do ta dekretonte lirimin nga ushtria të gjeneral Begajt, mbylli në një zyrë Edi Ramën, Taulant Ballën dhe Klotilda Bushkën, kryetaren e komisionit të ligjeve. Si do t’ia bënin? U fol për një plan B. Po cili ishte ky plan B? Ta votonin presidentin e ri edhe pa dekretin e Metës? Tedi Blushi, zëdhënësi i Presidentit Meta qetësoi mazhorancën duke njoftuar se Presidenti Meta po e ndiqte situatën hap pas hapi dhe nuk do të bëhej pengesë për vendimmarrjen e Kuvendit. Pastaj, përmes një videoje të regjistruar, ku dëgjohet zëri i Tedi Blushit që jepte komandën “gati”, u shpërnda nënshkrimi i dekretit… nga Turqia. Që hapi debatin tjetër, atë të territorialitetit, pra a mundet Presidenti i Republikës të nxjerrë një dekret jashtë vendit? Dhe, a erdhi dekreti fizikisht në Tiranë?

Pak më vonë nga ky moment, Presidenca sqaroi sërish se kërkesa për dorëheqje e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm nga detyra dhe lirimi i tij nga shërbimi aktiv ishin administruar në Tiranë, shqyrtuar nga stafi i Presidentit po në Tiranë, praktika administrative dhe gjithçka tjetër ishte punuar në Tiranë dhe i ishin përcjellë Presidentit, që shprehu vullnetin e tij publikisht përmes nënshkrimit të aktit. Në vijim një kopje e dekretit të nënshkruar ishte administruar elektronikisht në Tiranë në selinë e Presidentit, që më pas ishte sekretuar dhe kopje e këtij dekreti e vulosur me shkresë zyrtare të Sekretarit të Përgjithshëm të Institucionit të Presidentit i ishte përcjellë zyrtarisht autoriteteve kërkuese, pra Kryeministrit dhe Ministrit të Mbrojtjes. Binte në sy në këtë sqarim, fraza që dukej se i drejtohej direkt Oerd Bylykbashit:

“Nëse ndokush dëshiron të njihet me dekretin edhe në format shkresor, mund të paraqesë një kërkesë për një kopje te njehsuar të këtij akti dhe mund ta sfidojë atë sipas dëshirës në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën Administrative apo në çdo organ ku ai e konsideron të aplikueshme dhe të realizueshme të drejtën e tij”.

Kurse për Sali Berishën duket se ishte paragrafi tjetër:

Presidenti i Republikës …ka ofruar dhe do të ofrojë gjithmonë mbështetje të sinqertë për ruajtjen e kushtetushmërisë, si dhe duke mos u bërë pengesë pa ndonjë shkak të ligjshëm apo kushtetues për procedurat parlamentare.

Pas kësaj opozita u tërhoq nga votimi, duke shkelur një rezolutë të vetën se nuk do të bojkonte procese parlamentare:

Po a ishte largimi, frikë për një rrjedhje votash? LSI dhe PDIU votuan. Një votë rrodhi dhe Presidenti i zgjedhur Bajram Begaj mori 78 vota, pra 1 më shumë se 77 votat e socialistëve dhe social-demokratëve.

Debati se si gjenerali u bë president, vazhdon. Bashkëshortja e Presidentit Meta, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka propozuar që palët t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Do të ishte një kazus interesant të paktën për të ndarë nëse ka vlerë një dekret i presidentit i firmosur jashtë vendit. Por një padi në Gjykatë Kushtetuese kundër Ilir Metës është gjëja e fundit që i duhet politikisht Sali Berishë në këto momente.

E fundit, ajo që ra në sy, ishte edhe kjo foto, në morinë e disa fotove të shpërndara nga Kryeministria. Ku pozicioni i kandidatit për president përballë kryeministrit nuk është as ai i Komandantit të Përgjithshëm të FA, as ai i Shefit të Shtabit të përgjithshëm të FA. Ndoshta sepse nuk kemi ushtri? Sazani në flakë është një kujtim përcëllues i kësaj. Suksese President!

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!