Mjekët në Itali kundër Koronavirusit: Ushtarë të dërguar në betejë të paarmatosur e viktima të detyrës

schedule15:40 - 28 Mars, 2020

schedule 15:40 - 28 Mars, 2020

Të gjithë i qajnë tani…..Kujtojnë humanizmin e tyre, altruizmin, rezistencën deri në pacientin e fundit. Por ndoshta do të ishin vetë ata, mjekët e bazës dhe operatorët e urgjencës që do të donin të shkonin përtej retorikës së “engjëjve me stetoskop”. Duke dashur që vëmendja të shkojë tek ata kolegë që ende luftojnë në linjë të parë, pa mjetet dhe sigurinë e duhur.

Një nga paralajmërimet vjen nga Massimo Vajani, president i Urdhrit të Mjekëve të Lodi, ku tre mjekë kanë humbur jetën brenda pesë ditësh: “Do të kemi mundësinë t’i kujtojmë si duhet.

Sot duhet të theksojmë, denoncojmë dhe të mos lodhemi duke përsëritur se mjekët e familjes janë të detyruar të përballen me rrezikun e përditshëm të infeksioneve, pasi janë të privuar nga mjetet e duhura për t’u mbrojtur. Janë si ushtarët në Rusi me çizme prej kartoni.

Duhen fuqizuar njësitë e ndërhyrjeve në shtëpi që vlerësojnë në terren se kush duhet të shtrohet në spital e kush mund të qëndrojë i izoluar në shtëpi. Vizitat duhen bërë vetëm nëpërmjet vlerësimit telefonik.”

Të fundit që u ndanë nga jeta më Lodixhiano, epiqendra në Itali e koronavirusit, ishin Marçelo Natali, 57 vjec, dhe Ivano Vezuli, i njohur si Ivo, 61 vjeç. Natali ushtronte profesionin e tij në Kodonjo dhe në komuna të tjera aty pranë. I lindur në Bolonjë, ai ishte sekretar për provincën e Lodit në Federatën e Mjekëve të mjekësisë së përgjithshme. Ishte një nga të parët që tregoi dramën e shpërthyer në Basa. Ishte një njeri i shëndetshëm.

Jetonte në Kazele Landi me bashkëshorten dhe dy fëmijët. Ai ndërroi jetë në repartin e terapisë intensive në Milano ku ishte transferuar nga Kremona. Një ditë më patë, në spitalin e Vogera, ishte radha e Vezulit, mjek familje dhe i sportistëve.

Punonte në Maleo po jetonte në veri të lumit Po. Ishte mjeku i kooperativës për personat me aftësi të kufizuar në Kodonjo si dhe punonte për skuadrën e të rinjve të Piaçenca Kalçio. Po atë ditë u nda nga jeta dhe Luixhi Ablondo, drejtor për disa vjet i spitalit të Kremës.

Ultësira e Lodixhianos mes 11 dhe 12 marsit u përball me një nga viktimat e para në radhët e mjekëve të bazës. 64 vjeçari Xhuzepe Borgi, i martuar me fëmijë në rrjetet sociale përshkruhet si një njeri i mirë, i sjellshëm dhe i përgatitur. Një njeri dhe një mjek i madh.

Do të kishte mbushur 66 vjeç në fund të muajit mars Franko Gali, mjek baze në Medole, luftoi për tetë ditë kundër Covid-19 para se të dorëzohej. Shëndeti i tij ishte i brishtë dhe për shkak të disa problemeve shëndetësore të mëparshme.

Por lista e viktimave mes mjekëve, regjistron humbje të tilla në të gjithë rajonin. Në Vareze presidenti i Urdhrit të Mjekëve, Roberto Stela 67 vjeç, u shua pas një beteje të shkurtër kundër koronavirusit. Deri në momentin e fundit ai qëndroi në ambulatorin e tij duke vizituar e dhënë receta, besnik ndaj atij profesioni që e përjetonte si një mision, si shprehen ata që e njohën.

Komo humbi Xhuzepe Lanatin, 73 vjeç, ish pneumolog në spitalin Sant’ Ana: shumë i njohur dhe i vlerësuar. Bergamo duhej të ndahej nga Mario Xhovita 65 vjeç, mjek në Kaprino e që kryebashkiaku i Katanias – qyteti i tij i lindjes – e cilësoi si një shembull humanizmi. Dhe Diego Bianko, teknik i sallës operative të emergjencës. Ishte 46 vjeç dhe la jetim një fëmijë shtatë vjeç.

 

Kush mund ta ndalonte doktor Xhixhin? 71 vjeç, tashmë në pension Luixhi Fruskiante, mjek baze nuk ishte tërhequr dhe pse sfida shkonte përtej mundësive të tij. Njësoj si Xhuzepe Lanati, pneumolog, 73 vjeç por dhe ai në shërbim të pacientëve.

Në Komon në gjendje emergjence për shkak përhapjes së koronavirusit, kishte nevojë për ‘ta. Por virusi i rrëzoi brenda pak ditësh. Dhe emrat e tyre përfunduan në krye të listës së mjekëve të rënë në detyrë….

Në Itali vlerësohet se janë më shumë se 2700 anëtarët e personelit shëndetësor të prekur nga koronavirus. Një shifër shumë e lartë, që detyroi presidentin e Urdhrit të Mjekëve në vend, Filipo Anelin të shprehej:

“Nuk mund të lejojmë më që mjekët tanë, operatorët shëndetësorë, të dërgohen të paarmatosur në luftën kundër virusit. Është një luftë e pabarabartë që na bën keq ne, qytetarëve dhe vendit. Emrat e miqve tanë, kolegëve tanë në listën e viktimave duhet të jenë një paralajmërim i qartë për të gjithë.”

Janë viktima që tronditin Italinë duke futur në ankth komunitetet që shihnin tek këta mjekë pika referimi dhe u rrëzuan nga koronavirusi brenda pak ditësh: nuk ishin të gjithë të moshuar, dhe jo të gjithë kishin patologji!

Ishte vetëm 62 vjeç Xhuzepe Finci, -përgjegjës i strukturës “Day Hospital” të Parmës. Një profesionist i dashur, protagonist i botës së vullnetarizmit me pasionin për impenjimin civil dhe politik. Ditët e para ai kishte disa simptoma, u shtrua në spitalin e  tij, dhe nuk doli më i gjallë që andej. Miqtë e tij shkruajnë se deri në momentin e fundit ai ka bërë detyrën e tij, dhe ra në linjë të parë.

Sepse dhe për ata si dhe për të gjithë të tjerët që kanë ndërruar jetë në këtë luftë bastarde, nuk ka kohë as për ceremoni varrimi dhe as për nderimet përkatëse. Papritur shfaqen në spital dhe më pas shpallet vdekja me pak fjalë në profilet e Facebook.

Edhe njëherë më shumë Lombardia, provincat e Komos dhe Bergamos, por dhe Parma e Emilia Romamia, epiqendra e këtij tërmeti që trondit në thellësi komunitetin e mjekëve italianë, nga veriu në jug sepse disa prej këtyre profesionistëve që nuk u tërhoqën, nuk u trembën çdo mesditë bënin detyrën e tyre ndaj pacientëve.

Antonino Butafuoko 66 vjec, prej 25 vitesh punonte në spitalin e Bergamosb dhe së bashku me tre kolegët e tij nuk kishte ndaluar asnjëherë së kujdesuri për pacientët në dy studiot e tij mjekësore, prej javësh. Më pas do të ishte radha e tij dhe u shtrua në spitalin e Trevilios. Një tjetër mjek 65 vjeç, do të ndërronte jetë pak minuta më vonë në Katania.

Mungojnë maskat, syzet aq sa mjekët e  familjes kanë nisur një fushatë:

“ Lakuriq kundër virusit” duke kërkuar donacione që fillojnë nga një euro për të kontribuar në blerjen e materialëve të domosdoshme. Mjekët janë të lodhur dhe të dëshpëruar nga përshkallëzimi i përhapjes së virusit që mund të ishte shmangur nëse institucionet do i kishin dëgjuar që në momentin e parë. Vendimi i komitetit tekniko-shkencor i mbrojtjes civile dhe ministrisë së shëndetësisë, për të nënshtruar ndaj testit operatorët shëndetësorë, është ngushëllues në kuadër të strategjisë për të frenuar përhapjen e virusit.

Intervista e një mjeku italian ka bërë bujë në Itali e jo vetëm. Me idenë e qartë se pakkush e di se çfarë ndodh spitaleve në situatën e koronavirusit, ai shprehet se janë të detyruar të punojnë si në gjendje lufte. Kjo nënkupton se tashmë zgjidhen pacientët që mund të kurohen dhe ata të cilët nuk kanë më shpresë për të mbijetuar.

“Vendoset në bazë të moshës, dhe kushteve shëndetësore. Si veprohet në kohë lufte”. Është kjo dëshmia rrëqethëse e një mjeku në linjë të parë kundër koronavirusit në Itali.

Kristian Salaroli, 48 vjeç, është anestezist reanimator në spitalin Papa Xhovani 12 në Bergamo. Në një intervistë për Corriere della Sera ai tregon betejën e tij dhe të kolegëve të tij kundër virusit.

Situata është e tillë që personeli shëndetësor është i detyruat të zgjedhë se kë duhet të shpëtojë.

Ai tregon se janë të detyruar ta bëjnë, kjo pasi burimet spitalore, dhe vendet në terapi intensive janë në përpjesëtim të zhdrejtë me numrin e të sëmurëve kritikë që duhen vendosur në aparate për të marrë frymë.

Për të vendosur se cili pacient duhet shtruar mjekët duhet të vlerësojnë se kush nga ata ka më shumë mundësi të shpëtojë, dhe pse nuk ka një rregull të shkruar. Mjeku shprehet qartë se dhe pse mund të tingëllojë keq, pacientët me patologji të rënda vlerësohen me shumë kujdes, sepse dhe mundësitë për të mbijetuar ndaj fazës kritike janë të pakta.

Dhe mosha është një kriter vlerësimi.

Nëse një person është 80 deri në 95 vjeç dhe ka probleme me frymëmarrjen, atëherë ai nuk vendoset në terapi intensive. E njëjta gjë ndodh dhe për ata që kanë pamjaftueshmëri funksionimi në të paktën tre organe jetësore.

Në këtë pikë ata lihen mënjanë pasi konsiderohen të vdekur. Mjeku thekson se nuk janë në kushtet për të kërkuar mrekullinë dhe ky është realiteti.

Situata është shumë e komplikuar dhe personeli shëndetësor po e ndjen në lëkurë dhe nga pikëpamja emotive.

Salaroli shprehet se ka parë infermierë me 30 vjet eksperiencë që qajnë korridoreve të spitalit, dhe mjekë në krizë nervash që fillojnë të dridhen.

Këshilla e tij është vetëm një: mos dilni nga shtëpia. Vetëm kështu mund të shmanget infektimi.

Mjekët në rrjetet sociale shprehen se këto ditë të gjithë po falënderojnë personelin shëndetësor por asnjeri duket sikur nuk e di që:

1)Italia është ndër të paktat vende në botë ku mjeku përgjigjet penalisht për atë që bën;

2) Pagat e mjekëve  dhe të operatorëve shëndetësorë janë ndër më të ulëtat në botën perëndimore;

Këshilla, thënë më mirë lutja, është që kur kjo situatë të mbarojë, e shpresojmë të ndodhë sa më shpejt, të gjithë të mbajnë mend premtimet e bëra, dhe të mos sillen sikur nuk ka ndodhur asgjë

Një mjek i konsideruar hero, i pari që në Kinë dha alarmin për përhapjen e një virusi që nuk ishte i zakonshëm, fillimisht u paralajmërua nga policia për të mos përhapur panik, e më pas u injorua deri sa dhe ai vetë humbi jetën si pasojë e koronavirusit.

E tashmë, shumë vonë,  një kërkesë – falje publike e Kinës për mjekun hero të Wuhan, i pari që dha alarmin për koronavirusin që në dhjetor të 2019-ës, autoritetet kineze pranojnë se bënë gabim që e detyruan të heshtë.

34 vjeçari u akuzua për shpërndarje të informacioneve të rreme në internet. zyra e sigurisë publike e qytetit epiqendër të virusit me anë të një deklarate për media pranoi se ligji u zbatua në mënyrë të gabuar dhe procedurat nuk ishin të rregullta.

kërkesa publike për falje erdhi pasi komisioni kombëtar i monitorit vendosi se sjellja e policisë nuk ishte e përshtatshme.

që në dhjetor të 2019-ës mjeku sinjalizoi shtatë raste të një virusi të ngjashëm me SARS në spitalin e Wuhan ku punonte. ai u përpoq, pa sukses të paralajmëronte kolegët, që të përhapnin alarmin për këto raste të dyshimta, por autoritetet vendore e detyruan që ë heshtte.

atëherë ai vendosi të tregojë çdo gjë në rrjetet sociale, duke publikuar fotografinë e tij në një shtrat spitali ku ndodhej i lidhur me aparatin e frymëmarrjes artificiale për shkak të koronavirusit.  por tashmë për mjekun – hero ishte shumë vonë.

Por në vështirësi janë dhe mjekët e rinj, ata të sapo-diplomuarit të cilët janë thërritur të ndihmojnë, të zëvendësojnë dhe të jenë në gatishmëri…

Ka bërë bujë letra publike, drejtuar politikës italiane, me anë të profilit të tij në Facebook i mjekut të ri Xhorxho Kalabreze….

Të dashur politikanë, të gjithë, pa dallime partiake, apo ngjyrime politike,

Ai që po ju shkruan është një mjek i ri, një nga shumë që ndihet i pambrojtur përballë asaj që po ndodh në vendin tonë!

Një nga shumë prej atyre që do të donte të kishte më shumë mundësi për të ndihmuar kolegët në Lombardi, një nga shumë ata që dëshirojnë të ndihen më të dobishëm! Ne mjekët jo specialistë, bëjmë të gjithë pjesën tonë, disa si mjekë asistentë, disa si zëvendësues i mjekëve të përgjithshëm, kush në urgjencë apo në azile. Në punën tonë shpesh e gjejmë veten përballë situatave aspak të lehta, duke marrë vendime që nuk jemi akoma gati të marrim.

Jemi të përgatitur deri në gjysmë, njësoj si 10 mijë mjekët e zyrës, për të cilët ju besoni se do ju shpëtojnë nga gabimet tuaja, duke i hedhur në frontin e kësaj lufte, si mish për top. Përgjatë viteve keni bërë shumë gabime dhe vazhdoni t’i bëni, pavarësisht se realiteti tashmë është i lexueshëm për të gjithë.

Keni dobësuar shëndetësinë sikur të ishte diçka sipërfaqësore, e panevojshme, e dorës së dytë, duke shtyrë nga viti në vit një problem që duhej të kishit zgjidhur duke menduar më parë interesat politikë dhe ekonomikë.

Dhe tashmë çfarë bëni? I luteni në gjunjë mjekëve specialistë që të shkojnë në Lombardi për të shmangur një katastrofë që tashmë po ndodh, u kërkoni mjekëve në pension që të vrasin veten për gabimet tuaj, u kërkoni mjekëve kinezë ndihmë. Ajo që po bëni është një përpjekje për të arnuar një të carë që është zmadhuar nga viti në vit me politika të gabuara, duke ofruar kontrata të padenja, të profesionit të lirë dhe pa asnjë mbrojtje.

Po na kërkoni në thelb, që të sakrifikojmë jetën tonë për të tjerët, sepse po, dhe ne sëmuremi dhe vdesim si të gjithë, por për ne nuk ka garanci. Kërkoni ndihmën e specialistëve që nuk ekzistojnë, sepse keni refuzuar që t’i arsimoni, pavarësisht se ka vote që ju përballim me këtë problem.

Anestezistët e reanimacionit, pneumologët, higjenistët, infektologët, që ju i kërkoni fdëshpërimisht, NUK JANE! Dhe nëse ka, ata ndodhen jashtë vendit dhe nuk do të kthehen pasi i keni qëlluar pas shpine, duke i privuar nga çdo dinjitet.

Keni ditur vetëm të reduktoni dhe të kurseni në shëndetësi, të kurseni në numri e shtretërve, në pagat e mjekëve dhe infermierëve, që tani papritur i quani heronj, të kurseni mbi shëndetin e njerëzve. Na keni vënë në kushte kafshërore pune, të pambrojtur, me turne masakruese, pa asnjë falënderim, duke na detyruar të urrejmë një vend dhe një punë që në të vërtetë i duam dhe do t’i duam gjithnjë!

Nuk jemi heronj por duam të kujdesemi për njerëzit me maksimumin e mjeteve dhe burimeve që mund të ketë, jo duke u sajuar vazhdimisht, duke rrezikuar veten dhe sidomos pacientët tanë.

Duam që kur kjo tragjedi të përfundojë, të pyesni ndërgjegjen dhe të vendosni shëndetësinë ne vend të parë, ku meriton të jetë gjithnjë. Duam të kemi kushtet që të mos detyrohemi të arratisemi jashtë vendit për të punuar me dinjitet. Duam një shtet ku një mjek të ketë mundësinë të arsimohet dhe të mos lihet i përgjysmuar vetëm që në të ardhmen të paguhet më pak.

Duam një shtet ku një studiues të mos paguhet një mijë euro në muaj me kontratë qesharake. Një shëndetësi të barabartë dhe funksionale në të gjithë territorin kombëtar, ku ai që mjekohet në jug të ketë të njëjtin trajtim me atë në veri. Një shtet serioz që të tregojë se ka përzemër atë që ka vërtet rëndësi, tani më shumë se kurrë. Të gjithë qytetarëve italianë u kërkoj të mos na thërrasin heronj e as të mos na duartrokasin nga ballkonet.

Dua vetëm që të mbani mend këto ditë të vështira, sepse ajo që po bëjmë këto ditë, është ajo që bëjmë gjithmonë. Jemi njerëz si ju dhe njësoj si ju mund të gabojmë. Mos na duartrokisni tani por respektoni gjithnjë punën tonë. Efikasitetin e shëndetësisë duhet ta pretendoni nga ata që votoni dhe jo nga operatorët shëndetësorë që pështyni, rrihni dhe denonconi kur gjërat nuk shkojnë ashtu si doni ju.

Nëse një i afërm i juaji lihet për disa orë apo ditë në urgjencë në një barelë para se të shtrohet, nuk është faji i mjekut dhe as i infermierit, ta dini këtë! Nëse një mjek bën një gabim ka mundësi që të jetë i lodhur pasi nuk ka kolegë mjaftueshëm që ta zëvendësojë dhe t’i lejojë të pushojë.

Pra ju duhet të luftoni së bashku me ne, dhe jo kundër nesh, kur e gjithë kjo të ketë përfunduar, për të pretenduar një shëndetësi efikase dhe që funksionon. Për të pretenduar mjekë dhe infermierë të shlodhur dhe jo të dërrmuar, që të mund t’ju dedikohen 100 për qind të mundësive të tyre!

Na mundësoni të specializohemi NA NDIHMONI QE T’JU NDIHMOJME !

Ndërkohë Italia ndihet e zhgënjyer dhe nga ajo që e ka cilësuar si mungesë e solidaritetit nga ana e Bashkimit Europian në këtë situatë. Me reagime të ndryshme kryesisht në rrjetet sociale…..

Faleminderit i dashur Z.Macron e dashur Znj. Merkel, faleminderit që na braktisët në kohë nevoje, faleminderit që na mohuat mundësinë për të blerë nga ju maska të thjeshta dhe materiale të tjera mjekësore për të luftuar kundër përhapjes së virusit. Ne do kishim paguar për ‘to, e dini?

Ne jemi ata italianët, ata të pistët, të zhurmshmit, të padisiplinuarit, qesharakët, folkloristët, të varfrit dhe ndonjëherë dhe mafiozë….por ne jemi gjithashtu dhe ata që kanë ndërtuar rrugët, shkollat, që ju mësuam të alfabetin që përdorni, ju shpjeguam ligjet, rendin, organizimin e shtetit dhe krijimin e shtetit të së drejtës.

Jemi ne, italianët, autorët e veprave që mbushin muzetë tuaja, autorët e teksteve tuaja të studimit, të shpikjeve që përdorni, ata të cilët me sakrifica dhe shpenzime të jashtëzakonshme e gjejnë veten duke ruajtur dhe mirë menaxhuar më shumë se 70 për qind të trashëgimisë kulturore dhe artistike  në këmbim të një çmimi qesharak bilete dhe ndonjëherë as atë.

Jemi ne italianët, ata që ju kanë ofruar artin dhe kulturën ku mbështete qytetërimi jonë dhe i juaji, shprehjen maksimale të bukurisë, harmonisë dhe ekuilibrit që kanë arritur ndonjëherë qeniet njerëzore.

Ne, italianët, jemi ata që fillimisht ju ofruam qytetërimin që ju e shkatërruat duke tërhequr botën në Mesjetë, dhe më pas, u ringritëm dhe rilindëm, e sërish ofruam qytetërimin, artin, gjeografinë, ekonominë dhe edukimin.

Jemi ne krijues të shumë ushqimeve që më kot përpiqeni t;’i kopjoni recetën çdo vit, që mësuam Francën si të bëjë verën….

Por dhe ju Z. Trump dhe ju Z. Xhonson ju falënderoj që na izoluat në vend që të na ndihmonit. Dua t’ju kujtoj Z. Trump se nëse nuk do të ishte për një italian, ju do të ishit në tokën e paraardhësve tuaj duke vuajtur nga uria dhe jo në Amerikë për të qenë i pasur; e as mund të hanit patate, sepse nuk do i kishit pasur nëse një italian nuk do kishte udhëtuar detrave për t’ia shitur të panjohurve.

Juve Z. Xhonson ju kujtoj se fati i kombit tuaj mbështetet tek një flamur që ne ju lejuam të vendosni në anijet tuaja në mënyrë që të mos sulmoheshit nga piratët, Kryqi i Shën Xhorxhos i dhënë nga Republika e Xhenovas, pa të cilin do të ishit zhdukur si popull. Ju mësuam lundrimin dhe e mësuat mirë.

Të gjithë ju, kur telefononi mendoni për Meuçin, kur shihni televizion ose dëgjoni radio, mendoni për Markonion, kur përdorni elektricitetin sikur të mos kishte nesër, mendoni se nuk do të mund ta bënit po të mos ishte për Fermin!

Ne italianët krijuam bankat, universitetet, perspektivat, arkitekturat, inxhinierinë, astrofizikën, kalendarin, muzikën dhe shumë gjëra të tjera që nuk numërohen dot.

Miq të dashur, kur ju dëgjoni emrin Itali, duhet të qëndroni në këmbë, të përkulni kokën dhe të jeni të vetëdijshëm se origjina e shoqërisë perëndimore është këtu, nëse ne kërkojmë ndihmë ju duhet të vraponi, sepse nëse e tërhiqni sërish botë në Mesjetë, nuk e di nëse do ishim sërish në gjendje për të ringjallur qytetërimin.

Nëse nuk jeni të interesuar, atëherë kënaquni me atë që keni, qëndroni dhe admironi disa ton çelik kur vizitoni muzetë tuaja, shmangini veprat e italianëve… do e përfundoni vizitën shumë shpejt, atëherë mund të shkoni të vizitoni një fabrikë të bukur automjetesh, nga ato që nuk ndotin, shkoni vizitoni ato që ju quani kështjella ndërsa për ne janë vila të zakonshme të cilat i kemi me shumicë, ose shkoni në Romë, Firence, Venecia e shumë të tjera……

Në verbërinë e egoizmit tuaj ju ndoshta nuk e keni llogaritur në kohë se virusi nuk ka kufij dhe mund të prekë këdo, madje dhe ju.

Nëse do na kishit ndihmuar dje në përpjekje për të frenuar përhapjen e pandemisë, sot nuk do të qanit viktimat tuaja dhe nesër . /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!