Një burri në Peru, i cili pretendon se është 121 vjeç i është bërë doza e parë e vaksinës për koronavirusin. I moshuari pati mundësi që të vaksinohet pasi mjekët ecën për tre orë në terren të vështirë për të shkuar në shtëpinë e tij.
Don Marcelino Abad Tolentino, nga distrikti Chaglla i Perusë besohet që të jetë personi më i moshuar në rajonin e Huanuco-s që është vaksinuar kundër virusit.
Marcelino, që sipas zyrtarëve në vend ka lindur në vitin 1900 iu injektua doza e parë nga një ekip i Ministrisë së Shëndetësisë në Peru më 30 prill.
Nuk dihet ende se cila nga vaksinat iu bë të moshuarit, por sipas gazetës Milenio Peruja po shton numrin e vaksinave të shpërndara jashtë kryeqytetit Lima pasi mori sasi të prodhuara nga AstraZeneca. sb/abcnews.al/