Mjekësi me inteligjencë artificiale/ Rama në Izrael: Mbështetje për QSUT dhe Onkologjikun

schedule15:29 - 6 Prill, 2025

schedule 15:29 - 6 Prill, 2025

Kryeministri Rama udhëtoi këtë të dielë në Izrael, për të vizituar Qendrën Mjekësore SHEBA në Izrael, një nga ekselencat botërore të mjekësisë që do të asistojë në transformimin e Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza në Tiranë.

Rama u prit nga vetë drejtori i spitalit, Yitshak Kreiss i cili i shpjegoi kryeministrit implementimin e inteligjencës artificiale në mjekësi. SHEBA është spitali i parë në botë, ku pacientët konsultohen me një asistent virtual dhe jo me mjek.

“Çfarë ndodh, është që pacienti hyn, jep emrin dhe të dhënat, dhe fillon të bëjë bisedën me doktorin, asisten virtual mjekësor. Ai di gjithë historikun, dhe pse ka ardhur këtu. Mjekët harxhojnë shumë kohë duke marrë informacion. Kur vjen pacienti, asistenti virtual di gjithë historikun në sekonda. Po zgjedh gjuhën. Ekzaminimi bëhet dhe nxjerr gjithë historikun, I thotë pacientit çfarë duhet të bëjë më tej.”

Drejtori i spitalit tha se nëse sistemi arrin të provojë më pak gabueshmëri se njeriu, mund të eleminojë nevojën e mjekut në të ardhmen.

“Kemi një qendër komandimi, s’jemi aq guximtarë që ta bëjmë gjithçka me inteligjencë artificiale. E bëjmë nën mbikqyrje njerëzore. Por nëse arrijmë që në 1 vit të provojmë se sistemi merr vendime ashtu si njerëzit, dhe nuk bën gabime më shumë se sa njeriu, atëhere mund të eleminojmë nevojën e mjekut. Ne mund të reduktojmë 30% ngarkesën e mjekëve. Këtu kemi 800 pacientë çdo ditë”

Pas kësaj vizite në spital, Rama u shpreh optimist për binjakëzimin e QSUT me SHEBA.

“Faleminderit, është nder i madh, privilegj. Me zor po prisja të vija prej shumë kohësh. Takimi u bë realitet, edhe takimi me mjekët dhe ekipin nga spitali Nënë Tereza. Jemi optimist për të ardhmen. Prania juaj në Tiranë, ne e vlerësojmë shumë.

Vitin e kaluar, u firmos marrëveshja mes Shqipërisë dhe Izraelit për Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza. Një ekip nga Qendra Mjekësore izraelite SHEBA do të asistojë në reformimin e spitalit shqiptar dhe do të mbikqyrë menaxhimin, shërbimin, trajtimin e pacientëve të veçantë deri te blerjet e ilaçeve apo implementimin e teknologjisë së re./ abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!