Zbardhen të tjera detaje për atentatin ndaj Nuredin Dumanit në Elbasan, i cili u arrestua mbrëmjen djeshme disa orë më vonë në Fier, teksa ishte i plagosur.
Burime bëjnë të ditur për ABC se nga të dhënat në rrugë operative rezulton se bashkë me Dumanin në mjetin tip BMW kanë qenë edhe dy persona të tjerë, të cilët policia dhe grupi hetimor kanë dyshime se dhe ata kanë mbetur të plagosur.
Mësohet se makina që qëlloi ndaj mjetit tip BMW është i markës Mercedes Benz. Nga kjo e fundit besohet se është qëlluar nga dy armë nga dy pozicione.
Lexo edhe: EMRAT/ U arrestuan nga policia, kush janë dy mjekët që ndihmuan Dumanin
I shumëkërkuari Nuredin Dumani është vënë në pranga dje në mbrëmje nga RENEA në një banesë në lagjen Apoloni, ndërsa ishte i plagosur dhe i armatosur. Dyshohet se aty po merrte ndihmë mjekësore ambulatore fshehtas, pasi ishte plagosur më armë zjarri pas përplasjes me armë në afërsi të Paprit.
Por si ndodhi përplasja?
Përpara se të plagosej, Nuredin Duman dyshohet se ishte përgatitur për të kryer ose urdhëruar një atentat. Gjatë rrugës, ka pasur një shkëmbim me armë zjarri në Papër të Elbasanit. Makina me të cilën udhëtonte tip BMW është qëlluar me breshëri plumbash. Janë gjetur më shumë se 20 gëzhoja të qitura nga 2 armë të ndryshme. Dyshohet se në makinën tjetër e cila ka qëlluar në drejtim të makinës ku ishte Dumani, ka qenë rivali i tij Talo Çela.
37 vjeçari Dumani është i kërkuar për disa vepra të rënda penale. Ai ishte shpallur në kërkim për vrasjen e vëllait të Talo Çelës, Bujar Çela, ngjarje e ndodhur në vitin 2020 në Elbasan. Ai akuzohet si porositësi i vrasjes se vëllezërve Haxhia ne Durrës, në prill 2020 si dhe vrasjen e Anxhelo Avdia dhe Dorian Shkozës po në Durrës në të njëjtin vit. Po ashtu Dumani është një nga personat e përfshire në grabitjen e parave në Rinas në 9 prill 2019.
/abcnews.al