Sondazh

Berisha bëri protestë me flamur gjerman. Por ndaj dhunës së saj reagon ashpër Gjermania:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Misteri Ervis Martinaj/ “Lufta” për pasurinë, i gjallë në dosje, i zhdukur në jetë

schedule20:50 - 5 Prill, 2026

schedule 20:50 - 5 Prill, 2026

Në botën e krimit të organizuar, ndodh që personazhe të caktuar të zhduken.

Herë duke inskenuar gjithçka vetë, për t’iu shmangur rivalëve apo edhe drejtësisë.

Herë për shkak të ndonjë pengmarrje që ndodh të ketë edhe pasoja fatale, siç edhe ka ndodhur në Shijak në vitin 2019, me vrasjen e Jan Prangës, që edhe pse nuk u gjet kurrë trupi i tij, provat flisnin për një vrasje.



Por rrallëherë zhduket një njeri që kërkohet nga drejtësia dhe që vetë drejtësia nuk arrin ta gjejë. Madje për vite me radhë nuk jep ndonjë përgjigje konkrete.

7 gusht 2022, një hotel në Durrës, kamerat e sigurisë fiksojnë për herë të fundit Ervis Martinajn.

Ai nuk duket i shqetësuar. Nuk ka shenja frike. Asnjë shenjë se disa orë më vonë do të zhdukej pa lënë gjurmë.

Tri ditë më pas, familja e tij e denoncon të zhdukur në Policinë e Kurbinit.

Që nga ai moment, nis një nga misteret më të mëdha kriminale në Shqipëri.

A u arratis? U rrëmbye? Apo u vra?

Ndërkohë që këto pyetje mbeten pa përgjigje, një tjetër histori zhvillohet paralelisht.

Në dosjet e SPAK, emri i tij vazhdon të shfaqet. Në përgjime, në akuza, në hetime të reja.

Sikur të ishte ende gjallë.

Por familja thotë të kundërtën: Ai është vrarë.

Dhe sot, më shumë se tre vite pas zhdukjes, një pyetje mbetet pezull: A është Ervis Martinaj një i zhdukur apo një i vdekur pa trup?

Në Shqipëri, ligji është i qartë. Një person i zhdukur nuk shpallet i vdekur menjëherë. Kodi Civil parashikon një afat të gjatë, të paktën 6 vite pa asnjë lajm. Është një mekanizëm mbrojtës, për të shmangur gabimet e pakthyeshme.

Në rastin e Ervis Martinajt, zhdukja është kallëzuar më 10 gusht 2022. Sot, kanë kaluar më pak se 4 vite. Më 22 tetor 2025, babai i tij, Mustafa Martinaj i ka kërkuar Gjykatës së Lezhës që ta shpallë të zhdukur. Megjithatë ende nuk është marrë një vendim për këtë kërkesë. Kërkesa është bërë brenda afateve. Pra që të shpallet i zhdukur me vendim gjykate duhet të kalojnë të paktën 2 vite nga momenti kur është denoncuar ngjarja dhe nuk asnjë shenjë të tij.

Pasi të merret një vendim për zhdukje, duhet të kalojnë edhe 4 vite të tjera, që me kërkesë të familjes, Gjykata të shpallë vdekjen e tij.

Pra, në kushtet normale, ligji kërkon të pritet deri në vitin 2028.

Por a është ky një rast “normal”?

Sipas familjarëve, ai është vrarë. Sipas dëshmive në dosje, ai ishte i përfshirë në konflikte të rënda kriminale. Sipas hetimeve, kishte plane vrasjeje dhe ishte vetë objekt i kërcënimeve.

Megjithatë, për gjykatën, këto nuk mjaftojnë. Sepse ligji nuk funksionon mbi dyshime. Ai kërkon prova konkrete për një rrezik të menjëhershëm dhe të dokumentuar për jetën.

Dhe deri më sot nuk ka trup, nuk ka vendngjarje të provuar, nuk ka një moment të qartë ku jeta e tij është vënë në rrezik fatal në mënyrë të verifikueshme.

Kjo krijon një boshllëk të pazakontë ligjor. Në një anë, një familje që kërkon një përgjigje. Në anën tjetër, një sistem drejtësie që kërkon prova. Por çështja bëhet edhe më komplekse. Sepse Ervis Martinaj nuk është thjesht një person i zhdukur.

Ai është një person në kërkim ndërkombëtar. I hetuar nga SPAK për grup të strukturuar kriminal, i përfshirë në disa procedime penale dhe me dhjetëra pasuri të sekuestruara

Dhe këtu lind pyetja thelbësore. Çfarë ndodh nëse ai shpallet i vdekur?

Në teori, hapet rruga për trashëgiminë. Por në praktikë, pasuritë e tij janë tashmë nën kontrollin e shtetit. Procesi pasuror nuk ndalet.

Konfiskimi mund të vazhdojë dhe trashëgimtarët nuk marrin asgjë, nëse pasuritë provohen si të paligjshme. Pra, shpallja e vdekjes nuk është një zgjidhje. Është vetëm një ndryshim statusi në letra. Dhe ndërkohë, paradoksi mbetet.

Në dokumentet e drejtësisë, ai është ende gjallë, një person në kërkim. Në deklaratat publike, ai është i vdekur.

Në realitet askush nuk e di.

Kjo është zona gri e ligjit.

Aty ku mungesa e provës është po aq e fortë sa një provë. Dhe ku një njeri mund të ekzistojë njëkohësisht si i gjallë dhe si i zhdukur.

PROFILI I ERVIS MARTINAJT

Ervis Martinaj, që prej 10 gushtit të vitit 2022, është denoncuar i humbur nga familjarët e tij. I njohur si mbreti i lojërave të fatit, herë pas here është akuzuar e dyshuar për krime të rënda. Është hetuar, madje edhe arrestuar, por gjithmonë ka arritur të marrë pafajësinë. Fillimisht emri i Ervis Martinajt u përmend nga grupi hetimor në tetor të vitit 2013, kur u ekzekutua Elvis Doçi në zonën e “Komunës së Parisit”, në Tiranë. Në atë kohë sapo kishte nisur operacioni “Fund Marrëzisë” dhe Policia kishte bllokuar makineri e automate të lojërave të fatit, gjë që e dëmtonte biznesin e Ervis Martinajt, ashtu sikurse edhe rezultoi më vonë.

Viktima, Elvis Doçi, që i kishte shitur Martinajt disa makineta lojërash fati, dyshohej se mund të kishte dijeni për operacionin që do të ndërmerrte Policia në luftën kundër paligjshmërisë. Grupi hetimor, bazuar në këto informacione hetoi për disa muaj Ervis Martinajn, por duke mos arritur të gjejë asnjë provë që ta implikonte në vrasjen e Doçit.

Po kjo nuk ishte vrasja e vetme, për të cilën ai ishte mbajtur nën monitorim, pasi edhe në atentatin ku mbeti i vrarë bankieri Artan Santo, doli në skenë emri i Martinajt. Pas informacioneve operative, Policia tha se motori që ishte përdor nga vrasësit e Santos mund të ishte fshehur në magazinat e Ervis Martinajt në fshatin Fushë-Kuqe të Laçit. Efektivët e Policisë kanë ushtruar kontroll në magazinat e tij, më 27 qershor 2014, ku u gjetën dy skafandra që më pas rezultuan se nuk ishin të njëjta me ato të autorëve të vrasjes. Megjithatë aty u gjetën dhe sekuestruan automate lojërash fati.

Në sistemet e brendshme të Policisë së Shtetit, emri i Ervis Martinajt rezulton i skeduar në ngjarje të ndryshme, që nga vrasja e deri te kanosja e drejtuesve të lartë të Policisë. Më 20 tetor të vitit 2013, në kulmin e operacionit “Fundi i Marrëzisë”, kundër lojërave të paligjshme të fatit, Ervis Martinaj kërcënon shefin e repartit special “Shqiponja” në drejtorinë e policisë së Tiranës, Engjëllush Avdulaj, se do ta vrasë. Sapo reparti “Shqiponja” dhe komisariati numër 3 i Tiranës kishin sekuestruar rreth 400 makineri lojërash fati dhe makina luksoze në një magazinë të Ervis Martinajt ai e merr në telefon shefin e këtij reparti, komisar Engjëllush Avdulajn dhe e kërcënon se do ta eliminojë. Komisari Avdulaj bëri kallëzim penal për këtë rast. Ai e denoncoi Ervis Martinaj për kanosje me jetë. Policia misi procedim penal për Martinajn, në atë kohë 33 vjeç, por pa e shoqëruar në asnjë rast. Më vonë ngjarja u harrua dhe askush nuk mbajti përgjegjësi.

Nëntorin e vitit 2015 ai ishte në krye të listës prej 5 personash, që Policia e Tiranës shpalli në kërkim, për vrasjen e Enton Nikajt. Sipas dosjes së Prokurorisë, Ervis Martinaj bashkë me miqtë e tij, pasi kanë përfunduar një drekë në një lokal në Liznë, ka dalë për t’u larguar, duke hipur në makinën e tij. Pasi ka filluar të lëvizë me makinë, ka pare duke hyrë në parking, pronarin e lokalit, Ismet Gaxherri, i cili ishte i shoqëruar nga Enton Nikaj. Sapo ka parë këtë person Ervis Martinaj ka ndaluar menjëherë makinën e tij dhe fillimisht ka zbritur ai e më pas edhe personat që ndodheshin me të Emiljano Tasho, Bujar Hasani dhe ish-polici Mirsad Kuçana.

Fillimisht ka nisur një debat me tone të ashpra, më pas janë nxjerrë nga brezi armët dhe shokët e Martinajt kanë goditur me tytat e pistoletave Gaxherrin e Nikajn. Ky i fundit është goditur edhe me grishte e shqelma nga Ervis Martinaj, Emiljano Tasho dhe Mirsad Kuçana. Në një moment me gjakftohtësi, Prokuroria ka pretenduar se, të pandehurit e ekzekutojnë shtetasin Enton Nikaj dhe një veprim të tillë e kryen Emiljano Tasho. Megjithatë i akuzuari ka pretenduar në gjyq se arma është shkrepur gabimisht dhe nuk kishte qëllim vrasjen e tij.

Në përfundim Prokuroria kërkoi 121 vite burgim për personat e akuzuar, por Gjykata i dënoi në total vetëm me 21 vite. Ervis Martinaj për këtë ngjarje u dënua me 1 vit burg për moskallëzim krimi, vendim që e ankimoi me pretendimin se një person që ishte akuzuar për vrasje, nuk mund të akuzohej edhe për moskallëzim krimi. Kjo sipas tij ishte sikur të kallëzojë veten. Edhe kjo ngjarje u harrua si shumë të tjera që ishin mbyllur më pas e do mbylleshin në vazhdim. Të paktën edhe për 3 vjet.

Data 4 tetor 2018, ora 21:29, shënon fillimin e fundit të Ervis Martinajt. Ky moment prishi paqen e vendosur me një marrëveshje të heshtur mes dy grupeve kriminale në Tiranë. I pari që drejtohej nga Ervis Martinaj dhe i dyti nga Ervin Mata.

Kjo përplasje me armë, në lokalin e njohur në zonën e ish-Bllokut në Tiranë,  shkaktoi një të vrarë e dy të plagosur. I plagosur mbeti edhe vetë Ervis Martinaj që më pas edhe u arrestua. Por për pak kohë. Ashtu sikurse gjithë të tjerët që qëndruan fillimisht në arrati e më pas u vetëdorëzuan njëri pas tjetrit. Pas disa javësh në qeli, të gjithë u lanë të lirë. Duke përfshirë edhe Ervin Matën e Mevjol Bilon, i cili ishte personi që shkrepi armën. Sot të gjithë protagonistët janë jashtë. Ndërsa për fatin e Ervis Martinajt, nga denoncimi si i zhdukur, nuk dihet ende asgjë.

Prej asaj datë është folur për një armiqësi mes Martinajt e Matës. Në dëshminë e dhënë për atë ngjarje, Ervis Martinaj tregonte që asnjëherë nuk kishte pasur ndonjë problem me Ervin Matën, madje tregonte se ishte rritur me babanë e Ervinit.

Vetë Ervin Mata u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës në mars të vitit 2019, në të njëjtën kohë kur Ervis Martinaj u lirua me garanci pasurore. Por Mata nuk qëndroi më shumë se 2 ditë në paraburgim, pasi Gjykata i ndryshoi masën dhe ai u la i lirë.

Nga ky moment, kur të dy ishin në liri, gjërat nuk do ishin njëlloj si më parë për Ervis Martinajn dhe Ervin Matën. Mes tyre nuk kishte më paqe dhe kjo u dëshmua në vitet në vazhdim. Dhe shkak nuk ishte vetëm vrasja në zonën e ish-Bllokut, në Tiranë, por edhe trafiku i drogës. Në një hark kohor të shkurtër ndodhën vrasje e atentate të dështuara, që mbetën pa autor, por që hetimet i lidhnin me këta personazhe. Të dy nisën të fuqizohen duke afruar pranë vetes edhe efektivë e madje dhe drejtues Policie.

Mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019, ekzekutohet brenda makinës së tij në Tiranë, ish-polici Santiago Malko. Në përfundim të hetimeve, pasi çoi dosjen për gjykim, Prokuroria tha se vrasja e tij kishte ndodhur për shkak të rivalitetit në lojërat e fatit mes dy grupeve kriminale. Por mes rreshtave në dosje dhe shumë dëshmive e një hetimi paralel të kryer nga Prokuroria e Vlorës, në fakt rezultoi se Malko ishte vrarë në pamundësi të eliminimit të Ervis Martinajt. Kjo, pasi disa plane për vrasjen e tij kishin dështuar.

Vrasja e Santiago Malkos ishte planifikuar nga një grup i përbërë nga 7 anëtarë, të cilët kanë qenë aktivë në terren, ndërsa dy persona të tjerë janë ata që kanë urdhëruar dhe paguar Fatmir Hysenin për të kryer ekzekutimin. Në dosjen hetimore theksohet se urdhërues të vrasjes janë vëllezërit Leonard dhe Erlis Duka. Megjithatë, me vendimin e datës 21 janar 2026, Gjykata dënoi Leonard Dukën me 30 vjet burg, ndërsa shpalli të pafajshëm Erlis Dukën. Ndërsa grupi që punonte për ta dhe mori pjesë me role të ndryshme në vrasjen e Santiago Malkos, sipas Prokurorisë ishin: Ilir Selmani, Oltian Loga, Dritan Agaj, Aleksandër Maxhaku, Xhoni Nica, Fatmir Hyseni dhe Blendi Teta.

Pas vrasjes së Malkos, sulmi ndaj njerëzve të Ervis Martinajt vazhdoi deri në vitin 2022. Më 13 nëntor të vitit 2021 ekzekutohet miku i tij, Erigers Mihasi. Ai ishte duke lëvizur me makinë në zonën e “Astirit”, së bashku me Armando Dumanin, kur u qëllua me breshëri kallashnikovësh nga një makinë tjetër. Nga të shtënat humbi jetën gjithashtu edhe Armando Dumani. Mihasi ka qenë gjithashtu mik i ngushtë me ish-policin Santiago Malko. Vrasja e dyfishtë ka mbetur ende e pa autor.

Afro një muaj më vonë, më 23 dhjetor të vitit 2021, Can Kariçi, një tjetër njeri i Martinajt, u qëllua me një armë zjarri me silenciator brenda një makine me targa të huaja. Ngjarja ndodhi në Kodër-Kamëz, ndërsa ende nuk janë gjetur autorët. Kariçi kishte precedentë të mëparshëm penalë dhe kishte qenë i dënuar për një plagosje të ndodhur në Tiranë në vitin 2018.

Më 17 maj të vitit 2022, 29-vjeçari Ulvi Skana, zhduket pa gjurmë. Familjarët bënë denoncim dhe Policia nisi një hetim për rrëmbimin e tij. Në media është aluduar se ai ishte mik i ngushtë i Can Kariçit dhe i njohur i Martinajt, po nëna e tij, Thëllëza Skana ka mohuar në daljet mediatike që djali i saj të jetë pjesë e njerëzve të bosit të lojërave të fatit.

Në fund ndodh edhe goditja më e rëndë për Ervis Martinajn. Më 17 korrik 2022 vritet kushëriri i tij, njëkohësisht njeriu iu tij më i afërt, Brilant Marrinaj. Ai u ekzekutua në një atentat në mbikalimin e Fushë-Krujës.

Në fund, u hap një tjetër dosje për të. Gjykata e Posaçme, me vendimin nr.42, datë 17 maj 2022, caktoi ndaj Ervis Martinajt masën e sigurimit personal “arrest në burg” për 4 vepra penale, një prej të cilave, grup i strukturuar kriminal.

I penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, e përmendi edhe atë si person që kishte porositur vrasje. Dumani dëshmoi se Ervis Martinaj kishte ofruar deri në 500 mijë euro për vrasjen e Endrit Dokles.

E megjithëse u shpall në kërkim nga SPAK, Martinaj nuk u arrit të gjendej asnjëherë. Në vend të tij u arrestua efektivi i Policisë Jeton Lami, i cili u dyshua se e kishte ndihmuar për t’u arratisur. Lami u dënua me 2 vite e 10 muaj burg, por tashmë e ka përfunduar dënimin dhe është i lirë.

Në kohën që Policia e kërkonte për ta arrestuar, më datë 10 gusht 2022, xhaxhai i tij, Faik Martinaj, paraqiti një kallëzim penal në Komisariatin e Policisë Kurbin. Ai tha se kishin humbur kontaktet me nipin e tij. Faik Martinaj shpjegonte se që prej kohës që nipi i tij Ervisi është shpallur në kërkim nga organet e drejtësisë, ai dhe familja e tij nuk kishin pasur kontakte me të dhe nuk kishin dijeni për vendndodhjen e tij.

I pyetur lidhur me motivet dhe personat që mund të jenë përfshirë në zhdukjen e nipit të tij, Faik Martinaj sqaronte se që prej dhënies së dëshmisë së shtetasit Nuredin Dumani, i cili e akuzonte nipin e tij Ervisin për disa krime të rënda, kishin filluar edhe problemet për të.

Ai ka hedhur dyshime për grupe kriminale dhe posaçërisht tek shtetasi Endrit Dokle. Pas këtij kallëzimi, Prokuroria ka regjistruar procedim penal për rrëmbim personi, por nuk është zbuluar asgjë rreth vendndodhjes së Ervis Martinajt.  Është hetuar në disa drejtime nga ana e organit të akuzës, janë vënë në përgjim shumë persona, por deri më sot nuk është konkluduar asgjë.

DOSJA “PLUMBI I ARTË”

Kur u zhduk afro 4 vite më parë, Ervis Martinaj ishte shpallur në kërkim nga SPAK si i dyshuar për urdhërimin e një vrasje e sigurimin e kushteve për kryerjen e saj. Kjo ishte arsyeja që u në tavolinë u hodhën tri karta. E para ishte ajo e inskenimit, meqenëse ishte shpallur në kërkim; e dyta ajo e pengmarrjes; e treta e vrasjes. Të dy këto të fundit lidhen me rivalitetin e armiqësitë që kishte krijuar.

Por ende, as sot, nuk dihet asgjë me siguri. Edhe pse i zhdukur fizikisht, emri i tij gjatë kësaj kohe është lakuar më shumë se kushdo tjetër. Në dosjet më të rëndësishme që SPAK ka në dorë kohët e fundit, renditet emri i Ervis Martinajt. Ashtu sikurse rezultoi në dosjet “Metamorfoza”, ku doli në skenë një tjetër vrasje që u krye në emër të tij e një tjetër që do realizohej nga ai, por dështoi. Në këtë dosje, ndaj tij është ngritur akuza e vrasjes me paramendim, lidhur me ekzekutimin e Gjin Boriçit, më datë 9 gusht 2020 në Shkodër; sigurim i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje, lidhur me tentativën për të vrarë Kleant Musabelliun, si dhe armëmbajtje pa leje. Vepra penale këto të kryera në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Teksa dëshmi nga personazhe të ndryshëm, mund të shihen me dyshim, për komunikimet e aplikacionit SKY duket se nuk ka vend për të dyshuar. Emri i Ervis Martinajt del edhe aty. Ai kishte në përdorim PIN-in NP8LS4. Deri tani SPAK ka zbardhur një pjesë të mesazheve që janë nisur drejt tij e disa të nisura nga vetë ai.

Dosja e SPAK, e majit të vitit 2024, e njohur edhe si “Revanshi”, që zbuloi lidhjet e 7 grupeve kriminale më të rrezikshme në Shqipëri, zbuloi aleancat e krimit. Bashkëpunimin e drejtuesve të këtyre grupeve për të vrarë armiqtë e njëri-tjetrit, për miqësi por edhe për para. Për shuma marramendëse që shkojnë deri në miliona euro.

Episodi i tetëmbëdhjetë në dosje, flet për sigurimin e kushteve për të vrarë Ervis Martinajn. Një plan që sipas SPAK është porositur dhe financuar nga Leonard Duka dhe ekzekutorë janë vëllai i tij, Erlis Duka dhe Fatmir Hyseni i njohur si Doçja. Ndërsa në rolin e vëzhguesve, transportimit të armëve dhe lokalizuesit të Ervis Martinajt e lidhjeve të tij, janë Drianto Bardhi dhe Altin Gega. Referuar bisedave të realizuara në SKY, që ka administruar Prokuroria e Posaçme, del në pah fakti që Leonard Duka dhe Ervis Martinaj kanë pasur shoqëri prej 15 vitesh dhe kanë bashkëpunuar me qëllim zhvillimin e biznesit në fushën e lojërave të fatit dhe administrimin e bizneseve të tjera si hotele, bare, lokale në zonën e ish-Bllokut dhe zona të tjera të Tiranës. Gjithashtu ata kanë bashkëpunuar edhe me qëllim zhvillimin e aktivitetit të paligjshëm të trafikut të narkotikëve.

Konflikti mes Dukës dhe Martinajt ka nisur për shkak të një debati që Leonardi ka pasur me Santiago Malkon, i vrarë më 27 gusht 2019, i cili sipas të dhënave të SPAK ka dhunuar babanë e vëllezërve Duka. Malko ka qenë lidhje e ngushtë e Ervis Martinajt e Erigers Mihasit. Pas vrasjes së tij, Martinaj bëri përgjegjës për krimin Leonard Dukën dhe lidhjet e tij. Kjo ishte edhe arsyeja pse Ervis Martinaj u angazhua më pas për të vrarë Leonard e Erlis Dukën, Fatmir Hysenin, Altin Gegën dhe Elvis Gaçajn, si hakmarrje për ekzekutimin e Satiago Malkos.

Megjithëse, në një bisedë që kanë realizuar bashkë Leonard Duka dhe Ervis Martinaj, ky i fundit thotë se në fakt nuk ka dashur t’i vrasë për Malkon, por sepse kishte mësuar se donin ta vrisnin vetë atë. Gjatë bisedës ata i tregojnë njëri-tjetrit që kanë marrë informacione në lidhje me persona që janë angazhuar për të kryer vrasjen e njëri-tjetrit nga të dy palët.

Ervis Martinaj: Ai (Santiago Malko) gaboi më babën tënd. Unë babën tënd me e pa në rrugë vetëm e respektoj dhe me të pa ty me gra ose fëmijë e Erlisin, nuk të gjuj.

Leonard Duka: Ai (Santiago Malko) nuk bënte asnjë lëvizje pa dijeninë tënde. Ne kemi pasë shoqëri prej 15 vitesh bashkë.

Ervis Martinaj: Një natë para ishit vëllezër dhe të thashë bëji muhabetet mirë se ai është skizofren dhe ai gaboi me babanë tënd.

Leonard Duka: Unë vetëm prej babës jam mërzit se ç’a ka pasë me atë tjetrin, s’kishim arrit deri këtu.

Ervis Martina: Ti nuk më vret dot mu me gabelt e Vlorës o Nard, ti më vret vetëm kur të jesh me të drejtën tënde. Të thashë leje atë, mos e vrit (i referohet Santiago Malkos). E shave, ishin llafe të vërteta, nuk të thashë gjë. Llogaritë të thashë ulena dhe i bëjmë kur të dush.

Leonard Duka: Çfarë do të bëje për babën tënd?

Ervis Martinaj: Do ta kisha vrarë. Ai pretendonte që ti kishe paguar 500 mijë euro për ta vrarë dhe i thashë kërkoji falje për babën, sqarohuni pastaj vrituni. Unë sherrin ia kam pa atij se më ka fut në sherr me gjithë Shqipërinë ai qelbanik. Pas grabitjes së pleqve në Tepelenë, e kam marrë vesh pas 6 muajsh, për gjuajtjen e Rinos iu kam lutur dhe i kam thënë na 10 mijë euro dhe mos bëj zhurmë. Iu lute edhe ti, por ti ke qenë tapë nga Trejsi, nuk mban mend.

Leonard Duka: Unë prej teje e kam njohur dhe nuk i takonte për respektin tënd me bo ato veprime, gjithsesi ç’a ka ik nuk vjen më.

Ervis Martinaj: Unë nga sot nuk kam punë as me ty as me Altin Gegën. Një shkodran e pastrova se hante … (i referohet Gjin Ndojit) dhe atë vlonjatin (Fatmir Hysenin) do e vras sepse ka dasht me më vra mua, jo Santin. Ose do t’i vras, ose do të kalben në burg. Ndërsa me ty nuk merrem nga ky moment. Unë e kam inatin me ty që ke dasht të më vrasësh mua, jo për Santin, sepse unë deri sa është vra ai nuk e kam çu në mendje të të vras. Dhe mbasi është vra Santi kam lexuar dosjen dhe kam mësuar që ti ke dasht me më vra dhe atëherë kam dashur të të vras.

Nga ana tjetër, në një moment Leonard Duka dhe Ervis Martinaj flasin edhe ndarjen e llogarive që kanë pasur bashkë dhe pasi do të likuidoheshin me paratë, nuk do të kishin më punë bashkë. Duka i nis foto të dy faqeve ku shënoheshin llogaritë e përbashkëta që ata kishin pasur me njëri-tjetrin, por në fund prapë nuk bien dakord. Në një moment, Martinaj i tregon për motivin e vrasjes së Gjin Ndojt, ngjarje e cila del në dosjen “Metamorfoza”, e realizuar nga grupi Bajri. Madje edhe pas vrasjes së tij, Martinaj dhe Arben Ndoka, vijojnë të mbajnë pas vetes, vëllain e tij, Jozi Kraja, i cili nga ana tjetër nuk e dinte se kush e ka urdhëruar vrasjen e të vëllait dhe punonte për ta.

Ervis Martinaj: Gjin Ndoj u vra sepse kishte filluar t’ju thoshte njerëzve që do të bëhem me Nardin se ai jep 10 milionë euro për Visin dhe kur e kapëm na tregoi që kishte gënjyer dhe e vramë kot budallain.

Leonard Duka: Unë nëse rregullohem me ty do t’i spostoj të gjithë dhe do të bëjmë be që të dy, ti dhe unë.

Ervis Martinaj: Unë nuk kam pasë punë me njeri tjetër, vetëm me ty e kam pasë inatin se ke dashur të më vrasësh në pabesi. Edhe atë Doçen e kam inat se ai të ka fryrë ty për të më vrarë.

Leonard Duka: Unë e di që i kam shokë dhe shokët nuk i shaj. S’më ka lidh leku me to, kam punu sikur kam punu me ty.

Megjithëse bisedat e zhvilluar në platformën SKY mes anëtarëve të grupeve kriminale, konsiderohen një provë në duart e SPAK, disa prej të akuzuarve vijojnë ti kundërshtojnë.

BETEJA PËR STATUSIN: I GJALLË APO I VDEKUR

Në një kohë kur për fatin e Ervis Martinajt ende nuk ka një version zyrtar nga autoritetet, ekziston edhe një paradoks: Një njeri që mund të jetë edhe i vdekur, po hetohet si i gjallë.

SPAK ka në dorë 4 dosje penale ku e ka të pandehur. Madje ai po gjykohet në mungesë nga Gjykata e Posaçme. Për dosjen “Plumbi i artë”, për “Metamorfozën”, “Revanshin” dhe një tjetër proces po zhvillohet për konfiskimin e 34 pasurive të tij.

Nga ana tjetër familja e tij shprehet me bindje se Ervis Martinaj është vrarë.

Më 30 mars 2026, Mustafa Martinaj u paraqit për herë të parë në Gjykatën e Posaçme në lidhje me procesin që po zhvillohet për konfiskimin e pasurive të djalit të tij. Ai ishte thirrur në cilësinë e dëshmitarit nga vetë SPAK për shkak se disa pasuri që kërkohen të konfiskohen janë në emër të tij. Megjithatë, seanca gjyqësore dështoi për shkak të mungesës së prokurorëve Doloreza Musabelliu dhe Behar Dibra. Në një prononcim jashtë kamerave, pas përfundimit të seancës, Mustafa Martinaj deklaroi se është i bindur për fatin e djalit të tij.

Mustafa Martinaj

Fatin e djalit tim e dinë të gjithë, përveç medias dhe Prokurorisë. Djali im është ekzekutuar në Durrës. Jam babai dhe e di. Për këtë çështje kam dhënë shpjegime edhe tek agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku jam paraqitur me iniciativën time, kam ardhur vetë. Këta nuk duan ta hetojnë dhe ia kanë lënë Kurbinit. Nuk kam për çfarë të interesohem më shumë. Nuk kam fuqi as për hakmarrje. Kam ardhur sepse më ka thirrur gjykata. Jam invalid dhe kam bërë disa ndërhyrje shëndetësore. Këta merren me vogëlsira dhe nuk merren me gjëra madhore.

Seanca e radhës për konfiskimin e pasurive është shtyrë për më 13 prill 2026, ndërsa në GJKKO vijon shqyrtimi i kërkesës së SPAK për konfiskimin e disa pasurive që dyshohet se i përkasin Ervis Martinajt. Në vitin 2023 me vendim të Gjykatës së Posaçme, Ervis Martinajt dhe familjarëve të tij dhe personave të lidhur me të, iu sekuestruan 34 pasuri.

Avokati që mbron interesat e tij në këtë procedim pasuror, Mirash Martinaj, shpjegon se pronat e familjes së Ervis Martinajt, janë verifikuar edhe më herët.

Në çështjen e mëparshme, atë të vitit 2018 është dënuar në shkallë të parë me 3.8 vjet burg dhe vendimi ende nuk ka marrë formë të prerë pasi ndodhet në apel. Ervis Martinaj u gjykua nga togat e zeza të kryeqytetit për akuzat e “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për vrasje”, “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikim i pasaportave, kartave të identitetit, vizave”, si edhe “Organizim ose ushtrim i veprimtarisë së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”. Sipas avokatit, këto akuza nuk përfshihen në ligjin Antimafia. Megjithatë, në procesin që është në zhvillim në Gjykatën e Posaçme, situata ka ndryshuar, pasi akuzohet edhe për grup të strukturuar kriminal.

Gjykata e Posaçme

Gjatë shqyrtimit të provave të paraqitura nga prokuroria rezultoi e provuar se, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka në hetim procedimin penal nr.75/2022 në ngarkim të 32 shtetasve nen hetim, midis të cilëve edhe në ngarkim të të hetuarit Ervis Martinaj, i dyshuar për veprën penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Endrit Dokle, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. Nga hetimet e kryera krijohet dyshimi se shtetasit Nuredin Dumani, Ervis Martinaj, Elvin Merlika, Alket Xhixha dhe Henrik Hoxhaj, kanë konsumuar elementë të veprave penale të “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Endrit Dokle, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Më 12 dhjetor 2025, Alket Xhixha është vënë në pranga në Fushë-Kuqe gjatë një operacioni të zhvilluar nga Forcat Operacionale me urdhër të SPAK. Arrestimi i tij lidhet me deklarimet e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, i cili ka treguar se Xhixha ka ndërmjetësuar takimin mes tij dhe Ervis Martinajt. Sipas autoriteteve, përveç Xhixhës është arrestuar edhe Elvin Mërlika, banues në Mamurras. Të dy dyshohen se kanë luajtur role të rëndësishme në veprimtarinë e një grupi të strukturuar kriminal, duke ndihmuar në sigurimin e kushteve dhe mjeteve për kryerjen e një vrasjeje. GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për të dy të dyshuarit, të cilët akuzohen për disa vepra penale të rënda, përfshirë pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe kryerjen e veprave penale në kuadër të një organizate kriminale.

Gjykata e Posaçme

Në vijim, Prokuroria e Posaçme kreu hetimin pasuror të plotë dhe të gjithanshëm në ngarkim të shtetasit Ervis Martianj. Në përfundim të këtij hetimi sipas prokurorisë janë evidentuar edhe pasuri të tjera në pronësi të këtij subjekti, të cilat nuk justifikohen. Në vijim si rezultat në datën 10.01.2023 u regjistrua procedimi pasuror nr.01 në ngarkim të subjektit Ervis Martinaj. Në rrethin e personave, për të cilët është kërkuar informacion dhe dokumentacion është edhe shtetasi Ervis Martinaj. Nga verifikimi i bërë në sistemin Deepsee, që posedohet nga Policia e Shtetit, rezulton se, identifikohet një shtetas me gjeneralitetet e mësipërme dhe konkretisht: Ervis Martinaj, i biri i Mustafa dhe Vasilika, i datëlindjes 06.10.1982, lindur në Burrel dhe banues në Laç, Kurbin. Gjithashtu shtetas të tjerë, të cilët janë subjekt i Ligjit Nr.10192, janë edhe familjarët e tij, konkretisht: Roberta Martinaj, bashkëshortja, Mustafa Martinaj, babai, Vasilika Martinaj, nëna, Drenica Martinaj, motra, Erjona Martinaj, motra, Valentino Kaçorri, kunati.

Pas të gjitha verifikimeve dhe identifikimeve të pasurive, Gjykata e Posaçme ka pranuar kërkesën e prokurorëve, Altin Dumani, Doloreza Musabelliu dhe Behar Dibra për vendosjen në sekuestro preventive të këtyre pronave.

Bëhet fjalë për shoqërinë “King Casino”, tërësisht në pronësi të Ervis Martinajt; për 50 për qind të aksioneve dhe aseteve të shoqërisë “Alba Telecommunication”, që zotërohen nga Ervis Martinaj; shoqërinë “Mati Union”, në pronësi të plotë nga babai i tij; shoqërinë “Martinaj E.M”, në pronësi të plotë nga Mustafa Martinaj; subjektin “Ervis Martinaj PF”; shoqërinë “Real Fenix”, në pronësi të plotë nga bashkëshortja e Ervis Martinajt; shoqërinë në emër të motrës së tij dhe dy subjekte në pronësi të kunatit; 21 për qind të aksioneve dhe aseteve të shoqëria “S.P.E Gjadër” dhe shoqëria “S.P.E Energy” në pronësi të kunatit të Martinajt.

Gjithashtu janë sekuestruar edhe 5 automjete, një “Smart” dhe një “Land Rover” të motrës së Ervis Martinajt, një “Mercedes Benz GLK”, një “Ford Fiesta” dhe një “BMW M 550” të nënës së tij.

Nga ana tjetër janë sekuestruar edhe 19 pasuri të patundshme, si trojë, ndërtesa, apartamente, në Tiranë, Vlorë, Sarandë dhe Kurbin. Konkretisht: Një apartament në Vlorë, në pronësi të motrës së Ervis Martinajt; një arë në Piqeras të Sarandës, e llogaritur në vlerën e afro 22 milionë lekëve, në pronësi të Ervis Martinajt dhe bashkëshortes së tij; Një njësi me sipërfaqe 137 metër katror, në rrugën “Him Kolli”, në Tiranë, në emër të nënës së Ervis Martinajt, e llogaritur me vlerën e afro 24.4 milionë lekëve; një ullishte me sipërfaqe 9800 metër katror, në Dobresh të Tiranës, në emër të Mustafa Martinajt; arë me sipërfaqe 3815 m2, në Fushë-Kuqe, në emër të Mustafa Martinaj, e llogaritur në vlerën e mbi 1 milionë lekëve; arë me sipërfaqe 7000 m2, në Patok në emër të prindërve të Ervis Martinajt, e llogaritur në vlerën afro 1.5 milionë lekëve; arë me sipërfaqe 12145 m2, në Fushë-Kuqe, në emër të Vasilika Martinaj, e llogaritur në vlerën e 3.5 milionë lekëve; arë me sipërfaqe 1973 m2, në Patok, në emër të prindërve të Ervis Martinajt, e llogaritur në vlerën e afro 550 mijë lekëve; arë me sipërfaqe 7050 m2, në emër të nënës së Ervis Martinajt, e llogaritur në vlerën e afro 2 milionë lekëve; arë dhe truall, me sipërfaqe 1975 m2, nga e cila 815.34 m2 ndërtesë në Fushë-Milot, e përfituar me kontratë shit-blerje nga prindërit e Ervis Martinajt; arë me sipërfaqe 1632 m2, në Fushë-Milot, në emër të prindërve të Ervis Martinajt, e llogaritur në vlerën e afro 475 mijë lekëve; truall dhe ndërtesë, me sipërfaqe 300 m2, nga e cila 119.67 m2 ndërtesë, në Patok, në emër të prindërve të Martinajt, që llogariten në vlerën, 88 mijë trualli dhe afro 3.6 milionë ndërtesa; arë me sipërfaqe 2543 m2, në Fushë-Kuqe, në emër të Mustafa Martinajt, e llogaritur në vlerën e afro 700 mijë lekë; arë me sipëfaqe 120 m2, në vlerën e afro 800 mijë lekëve dhe truall e ndërtesë me vlerën e afro 8.4 milionë lekëve që Ervis Martinaj i ka dhunuar nënës së Eljon Hatos dhe që aktualisht posedohen nga ajo, etj.

Duke argumentuar sekuestrimin e këtyre pronave, SPAK shprehet se:

Prokuroria e Posaçme

Duke u nisur nga rezultatet e veprimeve e verifikimeve pasurore të kryera rezulton se ndodhemi në rastin kur plotësohen të gjitha kushtet dhe kriteret për marrjen e masave parandaluese pasurore për pasuritë në zotërim/pronësi të shtetasit Ervis Martinaj, dhe konkretisht; Së pari, pasuritë objekt i kërkesës për sekuestrim janë pasuri që plotësojnë kriteret e parashikuara nga neni 11 i ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm se shtetasi Ervis Martinaj, është përfshirë në veprimtarinë kriminale që përfshihen në ligji Antimafia. Së dyti, pasuritë e mësipërme, zotërohen nga shtetasi Ervis Martinaj, dhe personave të lidhur me të, dhe ekzistojnë dyshime se janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme. Së treti, ka arsye të bazuara për të besuar në lidhur me pasurinë e mësipërme ekziston rreziku real për humbjen, për marrjen apo për transferimin e saj tek persona të tjerë, me qëllim për të bërë të pamundur konfiskimin e kësaj pasurie.

Gjykata shpjegon se sekuestrimi i pasurive sipas ligjit “antimafia” lidhet domosdoshmërisht me ekzistencën e një çështjeje penale, pavarësisht nëse ajo është ende në hetim apo ka përfunduar. Edhe pse procedimi penal dhe ai pasuror janë formalisht të ndarë, gjykata duhet të marrë parasysh çfarë është vendosur më parë në procesin penal, sidomos kur ka vendime të formës së prerë për pasuritë. Nëse një gjykatë penale ka analizuar disa pasuri dhe ka vendosur se nuk lidhen me aktivitet kriminal, nuk është e drejtë që ato të konfiskohen më vonë në një proces tjetër, përveç rastit kur dalin pasuri të reja që nuk kanë qenë të njohura më parë. Ligji lejon sekuestrimin kur ka dyshime të arsyeshme se pasuritë vijnë nga krimi, jo vetëm për personin e dyshuar, por edhe për familjarët apo persona të lidhur me të, nëse ka indicie se pasuritë janë fshehur në emër të tyre. Këto masa mund të zbatohen edhe pas vdekjes apo zhdukjes së personit, brenda një afati të caktuar, dhe vlejnë edhe për pasuri të krijuara para hyrjes në fuqi të ligjit, nëse ka prova që lidhen me aktivitet kriminal.

Megjithatë Ervis Martinaj nuk është thjesht një person i zhdukur. Ai është një person në kërkim ndërkombëtar. I hetuar nga SPAK për grup të strukturuar kriminal, i përfshirë në disa procedime penale dhe me dhjetëra pasuri të sekuestruara. Nëse pas afateve që parashikon ligji ai shpallet i vdekur, teorikisht  hapet rruga për trashëgiminë. Por në praktikë, pasuritë e tij janë tashmë nën kontrollin e shtetit. Procesi pasuror nuk ndalet. Konfiskimi mund të vazhdojë dhe trashëgimtarët nuk marrin asgjë, nëse pasuritë provohen si të paligjshme. Pra, shpallja e vdekjes nuk është një zgjidhje. Është vetëm një ndryshim statusi në letra.

Megjithatë më shumë se 3 vite pas zhdukjes, nuk ka një përgjigje. Asnjë provë që ta lidhë me vrasjen e tij, por as për të kundërtën. Asnjë version zyrtar të ngjarjes. Vetëm dyshime.

Në një anë, një familje që kërkon të vërtetën dhe që thotë se ai është vrarë. Në anën tjetër, një sistem drejtësie që vazhdon ta trajtojë si të gjallë. Hetimet vazhdojnë.

Dosjet hapen. Pasuritë sekuestrohen. Por pronari i tyre mungon.

Dhe ndoshta ky është paradoksi më i madh i kësaj historie. Një njeri mund të zhduket fizikisht por të mbetet i pranishëm në çdo dosje. Në çdo akuzë, në çdo vendim gjykate.

Deri në momentin kur ligji të vendosë. Por deri atëherë Ervis Martinaj mbetet një emër në mes të dy botëve.

As i gjallë as i vdekur.

Thjesht i zhdukur./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!