“Miss Ballkani” rrezikon të shembet, “Ura e Zogut” monumenti që (nuk) mbrohet nga shteti

schedule18:38 - 26 Janar, 2021

schedule 18:38 - 26 Janar, 2021

Nga Gjergj Figuri

Vijon rrënimin “Ura e Zogut” mbi lumin Mat, një monument kulture që mbrohet nga shteti, por vetëm në letër, pasi në realitet gjendja është ndryshe.

Ky objekt ka pësuar dëmtimin e mëtejshëm dhe këmbët mbajtëse të saj po përthyhen edhe më shumë. Shirat e këtyre ditëve e kanë përkeqësuar situatën në monumentin që duhej të mbrohej nga shteti por që nuk ka pasur asnjë reagim për të.

Marrja e inerteve pranë këmbëve të urës ka shkaktuar gërryerjen e zonës e për pasojë duke nxitur rënien e këmbëve në thellësi, e si rrjedhoje ura rrezikon të thyhet duke rrezikuar shembjen e plotë. Vetëm gjatë dy ditëve të fundit, një këmbë e urës në anën perëndimore ka pësuar sërish rënie me rreth 30 cm.

Pavarësisht alarmit të dhënë, IKMT ka qëndruar në heshtje duke mos vepruar për të parandaluar përshkallëzimin e situatës e për të frenuar marrjen e mëtejshme të inerteve te ura që cilësohet si “Miss Ballkani” për vlerat e saj arkitekturore.

Dëmtimi i urës së Zogut ka vijuar prej vitesh, por me reshjet e këtij fillim janari pësoi çarje si pasojë e humbjes në zhavor të njërës prej këmbëve që për pasoje i dha hark urës duke sinjalizuar rrezikun./ db/Abcnews.al