“Miss Ballkani” rrezikon të shembet, sytë nga “Europa Nostra” për të shpëtuar “Urën e Zogut”

schedule18:30 - 15 Dhjetor, 2021

schedule 18:30 - 15 Dhjetor, 2021

Nga Gjergj Figuri

“Ura e Zogut” në Milot po shkatërrohet. E lënë në harresë nga institucionet përgjegjëse një ditë më parë ka marrë vëmendjen e organizatës “Europa Nostra”. Peticioni i dërguar Ministrisë së Kulturës i firmosur nga qytetarët e qarkut të Lezhës, që kërkuan mbrojtjen dhe rimëkëmbjen e urës me harqe apo e njohur si “Ura e Zogut” në Milot ka gjetur mbështetjen e organizatës europiane të shoqërisë civile, “Europa Nostra”. Kjo e fundit e ka vendosur këtë objekt të trashëgimisë kulturore në listën e 12 monumenteve më të rrezikuara në Europë. Ura e ndërtuar në 1927 nga inxhinieri Gjovalin Gjadri do ketë angazhim të grupeve mulidisiplinare të ekspertëve në mision për shpëtimin e saj dhe hartimin e planeve të veprimit.

Ky monument kulture i kategorisë së parë pas verifikimeve të ekspertëve të Organizatës “Europa Nostra” dhe Institutit të Bankës Europiane të Investimeve do të vendosë nëse kjo urë do të përfshihet në programim “7 më të rrezikuarat 2022”, për tu restauruar. “Ura e Zogut” është nominuar nga anëtarja e Europa Nostra, aktivistja Amarilda Leti, për këtë program. “Përzgjedhja u bë në bazë të rëndësisë së jashtëzakonshme të trashëgimisë dhe vlerës kulturore të secilit prej vendeve si dhe në bazë të rrezikut serioz me të cilin po përballen sot” tha Amarilda Leti.

Goditjen e fundit kjo urë e mori në janar të vitit 2021, për shkak të reshjeve të dendura dhe prurjeve të mëdha të lumit Mat. Një prej këmbeve mbajtëse të urës është zhvendosur mbi dy metra, gjë e cila ka bërë që një pjesë strukturës të zhytet edhe më shumë në lumë. “Ura e Zogut” është një nga asetet e trashëgimisë që u projektua nga italiani Martini. Stili i harqeve të ishte një risi për kohën kur u ndërtua./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!