Misioni BE: Vlerësime pozitive për zgjedhjet, përjashtuar komunat serbe

schedule12:51 - 19 Tetor, 2021

schedule 12:51 - 19 Tetor, 2021

Tregu i kompensimit të karbonit mund të jetë me vlerë 200 miliardë dollarë deri në vitin 2050. Por çfarë është?Zgjedhjet komunale të 17 tetorit në Kosovë, në përgjithësi janë vlerësuar pozitivisht, me përjashtim të komunave të banuara më shumicë serbe, ku konkurrenca politike ka qenë e kufizuar, ka vlerësuar Misioni Vëzhgues i Bashkimit Evropian.

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgim të Zgjedhjeve, Lukas Mandl, në një konferencë për media, të martën (19 tetor) tha se procesi zgjedhor është organizuar mirë dhe në mënyrë efikase. Pluraliteti i kandidatëve ka ofruar për votuesit një zgjidhje të vërtet, më përjashtim të komunave më shumicë serbe, ku konkurrenca politike ka qenë e kufizuar, ka thënë ai.

“E kemi parë që Lista Serbe e ka monopolizuar jetën politike të serbëve të Kosovës, madje ka pasur raste të kërcënimit dhe presioneve nga kandidatët e Listës Serbe dhe aktivistëve të tyre. Për fat të keq gratë kanë qenë të nën përfaqësuara në gara për kryetarë të komunave, financimi i fushatës nuk ishte transparentë”, tha Mandl.

Ditën e zgjedhjeve, vëzhguesit e BE-së, kanë vizituar 400 vendvotime në nivel vendi, tha ai, duke shtuar se votimi ka qenë i rregullt dhe i qetë përkundër disa shqetësimeve të vërejtura në një numër rasteve, siç ishte votimi me asistencë dhe votimi me dokumente të identifikimit me afat të skaduar.

Ndër të tjera, ai ka thënë se kuota gjinore prej 30 për qind është respektuar, por subjektet politike kanë nominuar vetëm disa gra kandidate për kryetare të komunave.

Edhe, Viola von Cramon, raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka përgëzuar qytetarët e Kosovës të të gjitha komuniteteve për ushtrimin e qetë dhe paqësor të së drejtës së tyre demokratike për të zgjedhur përfaqësuesit lokal.

Fushata zgjedhore, sipas saj, ka qenë konkurruese dhe pa incidente madhore.

“Këto zgjedhje komunale kanë dëshmuar se Kosova është një demokraci e vërtetë me një debat të vërtetë mes kandidatëve dhe partive politike që propozojnë politika alternative. Sot, më shumë se kurrë Kosova është shembull në kuptim të pluralizmit dhe standardeve demokratike për rajonin”, tha Viola von Cramon.

Megjithatë, edhe ajo përmendi se në komunat e banuara më shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës ka pas presion nga Lista Serbe dhe aktivistët e saj.

Zgjedhjet e 17 tetorit janë të dytat që janë organizuar në kohë pandemie.

Por, Viola von Cramon, tha se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka arritur që në mënyrë efikase t’i zbatojë procedurat zgjedhore dhe nuk është vërejtur ndonjë parregullsi e madhe, çoftë në periudhën parazgjedhore, çoftë në ditën e zgjedhjeve”.

Edhe organizatat joqeveritare që kanë monitoruar procesin e zgjedhjeve të 17 tetorit kanë pohuar se janë vërejtur disa parregullsi, por të cilat nuk mund ta cenojnë integritetin apo besueshmërinë e zgjedhjeve. Disa nga parregullsitë e evidentuara, sipas tyre, kanë qenë votimi me asistencë, ushtrimi i presionit mbi votuesit si dhe prania e personave të paautorizuar në hyrje apo afërsi të qendrave të votimit.

Sipas rezultateve preliminare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nga 38 komunat ku janë zhvilluar, në 17 komuna janë shënuar fitore të partive dhe 21 komuna do të shkojnë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë.

Bazuar në rezultatet preliminare të KQZ-së, Lista Serbe ka fituar nëntë komuna, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar pesë komuna, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nga dy komuna, kurse Lëvizja Vetëvendosje nuk ka arritur fitore të qartë në asnjë komunë në raund të parë./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!