Gjatë kontrolleve të kryera kundër kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Lajthizë policia ka zbuluar bimë kanabisi.
Blutë kanë identifikuar autorin e dyshuar të kultivimit të 60 bimëve narkotike. Bëhet fjalë për shtetasin Alfred Lleshi.
Vijon puna për kapjen e tij. Gjithashtu janë proceduar penalisht, për shpërdorim të detyrave, kryetari i fshatit Lajthizë dhe specialisti i pyjeve të zonës.
“Si rezultat i një hetimi njëmujor, me metoda proaktive, të kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Lezhës, me qëllim përcaktimin e autorësisë së kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Lajthizë, Mirditë, Komisariati i Policisë Mirditë ka finalizuar një tjetër fazë të megaoperacionit të koduar “Territor i pastër”. Gjatë saj u gjetën të mbjella në këtë fshat, 60 bimë narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies. Gjithashtu, u identifikua autori i dyshuar i kultivimit të tyre, shtetasi A. Ll., 26 vjeç, banues në Lezhë, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit, Policia vijon intensivisht punën.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit Alfred Lleshi., 65 vjeç dhe Gj. Gj., 62 vjeç, përkatësisht kryetar i fshatit Lajthizë dhe specialist i pyjeve të zonës”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
/abcnews.al/