Miratohet tjetër marrëveshje e Ballkanit të Hapur, Frida Krifca: Njihen certifikatat e veterinerëve

schedule09:47 - 20 Dhjetor, 2021

schedule 09:47 - 20 Dhjetor, 2021

Në mbledhjen e sotme të qeverisë shqiptare është nënshkruar një tjetër marrëveshje në kuadër të nismës rajonale “Ballkani i Hapur” që parashikon bashkëpunim në fushën e veterinarisë. Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca deklaroi se kjo marrëveshje parashikon hapjen e eksportit për produktet blegtorale në bazë të reciprocitetit duke zbatuar edhe mbrojtjen nga sëmundjet e transmetueshme në bimë dhe kafshë.

Krifca deklaroi se me anë të kësaj marrëveshje njihen për herë të parë certifikatat fidosanitare, të veterinarisë shëndetësore dhe laboratorët e akredituar duke hequr një kosto të shtuar për bizneset.

“Nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi në fushën e veterinarisë në kuadër të Ballkanit të Hapur. Për herë të parë hapet eksporti për produktet blegtorale në bazë të reciprocitetit duke zbatuar mbrojtjen e territoreve nga sëmundjet e transmetueshme në bimë dhe kafshë.

Njihen për herë të parë certifikatat fidosanitare, të veterinarisë shëndetësore dhe laboratorët e akredituar duke hequr një kosto të shtuar për bizneset. Duke adresuar një shqetësim që biznesi ka pasur. Duke kryer kontrolle në doganën më të afërt të destinacionit. Marrëveshja nënkupton edhe shkëmbim informacionesh në kohë reale për të siguruar shkëmbimin e produkteve”, tha ministrja.

Ajo u shpreh se në vitin 2022 është parashikuar buxheti më i madh i mbështetjes për programin e zhvillimit rural që ka për qëllim daljen në tregun ndërkombëtar me një cilësi të shtuar.

“Në vitin 2022 kemi parashikuar buxhetin më të madh të mbështetjes për programin e zhvillimit rural. Qëllimi është rritja e konkurrencës që të dalin në treg me konkurrent. Tregu ndërkombëtar kërkon rritje të cilësisë. Marrëveshja është e rëndësishme në aspektin e sigurisë ushqimore. Mbështetja do të kryhet edhe për investimet që rrisin jo vetëm kapacitetet por edhe standardet”, deklaroi ministrja. m.v/Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!