Parlamenti miratoi shtyrjen me tre muaj të afatit të komisionit hetimor parlamentar për përfshirjen e zyrtarëve të lartë në trafikun e narkotikëve, i njohur si komisioni “Tahiri”.
Kërkesa ishte depozituar një ditë më parë në Kuvend nga kreu i këtij komisioni, deputeti demokrat Edi Paloka. 72 deputetë votuan pro zgjatjes së mandatit të këtij komisioni hetimor, ndërsa tre deputetë votuan kundër, përkatësisht Bashkim Fino, Spartak Braho dhe Erjon Braçe. Po ashtu ka pasur dhe një votë abstenim.
Komisioni Hetimor për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, është ngritur në muajin Mars 2018, pak javë para dorëzimit të mandatit të deputetit nga Tahiri. Për ish-ministrin e brendshëm po vijon hetime edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas dyshimeve për përfshirjen e tij në trafik droge nga Shqipëria drejt Italisë./abcnews.al

