PS voton rezolutën, PD numëron yjet/ Votuan 76 deputetë të shumicës, kundër Sula dhe Shehaj. Foltorja abstenon, Basha e “kopjon”

schedule17:46 - 27 Maj, 2024

schedule 17:46 - 27 Maj, 2024

Kuvendi miratoi me votat e maxhorancës rezolutën anti-korrupsion të propozuar nga grupi socialist.

76 deputetë votuan pro projekt rezolutës, ndërsa dy deputetë opozitarë Dashnor Sulaj dhe Agron Shehaj votuan kundër. Deputetët e grupimit të PD zyrtare deklaruan më herët votën kundër, por si dhe në raste të mëparshme nuk morën pjesë në votim. Ndërsa Rithemelimi abstenoi duke mos votuar për këtë draft rezolutë të socialistëve.

Më herët duke folur në kuvend gjatë seancës kryeministri Rama ftoi deputetët e opozitës të votojnë këtë rezolutë dhe të bëhen pjesë e komisionit të posaçëm, duke sqaruar se ai nuk ndikon punën e prokurorisë së Posaçme.

“Ne jemi në luftë me korrupsionin që prej 10 vjetësh! Prandaj ka ndodhur dhe reforma në drejtësi bashkë me lindjen e vetë SPAK-ut, i cili ka pasur, ka dhe do të ketë, të paktën deri sa të jem unë këtu, mbështetjen pa kushte të kësaj shumice. SPAK-u është ilaçi i hidhur, që o e pi, o vdes dhe që kush e pi një herë po, e një herë jo, siç bëni ju të tjerët, jo nuk ka shans të vetë pastrohet dhe të vazhdojë vetëm përpara, por vetëm zgjat agoninë e vet dhe tretet siç po treteni ju tek “rrugica e shpresës”, deklaroi Rama.

Për nismën e Partisë Socialiste, ndërkombëtarët kanë apeluar për gjithëpërfshirje politike. Drafti synon përmbushjen e kushteve dhe reformave për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

“Ashtu siç nuk u ndala reforma në drejtësi, as kjo nisëm e re në vazhdim të saj nuk ndalet, prandaj thirrja ime është votojeni sot draftin e rezolutës dhe po nuk e gjetët këtë forcë për ta bërë, mos e bojkotoni nesër Komisionin e Posaçëm Parlamentar që do të ngrihet menjëherë pas miratimit të saj”, shtoi Rama.

Shembull për luftën ndaj korrupsionit u mor reforma e prokurimeve publike si dhe procesi i digjitalizimit për t’i dhënë fund ryshfeteve.

“Pikërisht pse ne jemi futur në luftë me korrupsionin prej 10 vjetësh, kanë ndodhur edhe transformimi rrënjësor i shërbimeve publike, përmes digjitalizimit, bashkë me fundin e radhëve të pafundme dhe të bakshisheve të përhershme deri dhe për një certifikatë lindjeje. Edhe reforma e prokurimeve publike, bashkë me 1 miliardë euro të kursyera nga tenderët dhe ngjitja e Shqipërisë nga vendi i fundit në të parin, në pikëzimin rajonal për këtë fushë, prandaj ka ndodhur edhe çelja e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, theksoi kryeministri.

Projekt-rezoluta e propozuar nga PS përfshin tetë pika që kanë të bëjnë me zbatimin e reformave, sundimin e ligjit dhe mirëqeverisjen./abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!