Miratohet koncesioni, kush e mori Portin e Vlorës për 1 euro

schedule23:00 - 15 Tetor, 2021

schedule 23:00 - 15 Tetor, 2021

Më 13 tetor Këshilli i Ministrave me anë të një vendimi, miratoi kontratën e qirasë 1 euro për ndërtimin e portit të ri turistik të Vlorës, kontratë kjo që u fitua nga bashkimi i shoqërive “Marina di Valona” sh.p.k, “Marina Projects” ltd, “Brunes” sh.p.k. dhe “Ndregjoni” sh.p.k.

Porti turistik do të menaxhohet nga privati për 35 vite, njoftoi ministria e Infrastrukturës. Objektivi i qeverisë është që përmes PPP-së, Triportin në Vlorë ta kthejë në një port mallrash dhe peshkimi, ndërsa porti aktual të bëhet një port turistik, ashtu sikur parashikohet që të ndodhë në Durrës.

“Dhënie e miratimit për lidhjen e kontratës së qirasë, me tarifën 1 (një) euro/kontrata, ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si qiradhënës, dhe Bashkimit të Shoqërive (JV), “Marina di Valona”, sh.p.k., me, “Brunes”, sh.p.k., me, “Ndregjoni”, sh.p.k., me, dhe “Marina Projects” LTD, me numër regjistrimi 04182366, si qiramarrës, për pronën e paluajtshme shtetërore në zonën kadastrale nr.8602, Bashkia Vlorë, pjesë e fondit të pasurive të paluajtshme për mbështetjen e investimeve strategjike, sipas dokumentacionit të pronësisë, planvendosjes, listës së pasurive dhe tekstit të projekt kontratës, që i bashkëlidhen këtij vendimi” thuhet në vendimin e qeverisë të firmosur në mbledhjen e të mërkurës.

Në VKM thuhet se të ngarkuar për zbatimin e këtij vendimi sipas qeverisë janë Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve, Agjencia Shtetërore e Kadastrës Vlorë dhe Bashkimi i Shoqërive (JV), “Marina di Valona”, sh.p.k., me, “Brunes”, sh.p.k., me, “Ndregjoni”, sh.p.k., me, dhe “Marina Projects” LTD, me numër regjistrimi 04182366.

Me tej në VKM shpjegohet se e përcaktuar si sipërfaqe totale truall do të jetë 57.502.5 m2, nga ku sipërfaqe ndërtimore 3829.85 m2.
Qëllimi i kësaj kontrate është dhënia e përkohshme e objektit në ndërtimin dhe operimin e infrastrukturës “Pro turizmi”, duke investuar rreth 9,811,904,094 (nëntë miliard e tetëqind e njëmbëdhjetë milion e nëntëqind e katër mijë, e nëntëdhjetë e katër) lekë pa TVSH dhe duke punësuar minimalisht 100 punonjës.

Kjo kontratë është e vlefshme për një periudhë 20 (njëzet) vjet dhe hyn në fuqi me nënshkrimin e saj nga palët.

Por kush janë kompanitë fituese:

Nga Agjencia e Prokurimit Publik u tha se morën pjesë 3 kompani, ku dy prej tyre u skualifikuan pasi kishin mungesës dokumentacioni. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë fituesit e projektit “Marina Vlorë” janë bashkimi i përkohshëm i shoqërive “Marina di Valona” sh.p.k, “Marina Projects” ltd , “Brunes” sh.p.k. dhe “Ndregjoni” sh.p.k, ku konsorciumi fitues ka ofruar një investim me vlerë 22.8 milionë euro.

MARINA DI VALONA

Viti i Themelimit: 23.01.2020

Kapitali Themeltar(Lekë): 150 000,00

Ka si administrator Andi Pashajn. Si objekt veprimtarie kjo kompani ka, Ndërtimin dhe/apo administrimin e Porteve të Jahteve, të infrastrukturës mbështetëse turistike të tyre, Hoteleve, Vilave, Apartamente, Restoranteve, Qendra Sportive dhe SPA, pishina dhe cdo aktivitet ose shërbim tjetër turistik në përputhje me projektin arkitektonik dhe inxhinierik që do të ideohet dhe projektohet për këtë qëllim. Realizimin e veprimtarive të lejuara në Portet Turistike, duke përfshirë por mos u limituar në: Administrimin e qëndrimit të përkohshëm të mjeteve lundruese turistike.

NDREGJONI

Viti i Themelimit: 24.08.1994

Kapitali Themeltar(Lekë): 237 146 000,00

Kjo kompani administrohet nga Xhetan Ndergjoni. Aktiviteti i kësaj Kompanie ëshët i fokusuar në fushën e ndërtimit të objekteve të ndryshme civile dhe industriale, private dhe shtetërore, social kulturore dhe agjensi për shitblerjen e këtyre ndërtimeve.

BRUNES.

Viti i Themelimit: 28.07.2007
Kapitali Themeltar(Lekë): 1 200 000 000,00

Kompania administrohet nga Geront Çela. Objekti i veprimtarisë së kësaj kompanie është tregëtimi me shumice e pakice te materialeve te ndertimit, qeramike dhe hidrosanitare, hidrotermoizoluese, pllaka per shtrim veshjesh, shitblerje e objekteve te ndertimit, punime duralumini e punime pllaka gipsi etj. Shitblerje me shumice e pakice, eksport import te mallrave te ndryshem industrial, ushqmor, bar bufe, konfeksione, tekstile, paisje elektroshtepiake, artikuj mobilerie dhe mobilime zyrash, artikuj kancelarie, karta telefonike.Ekspozimi i mallrave dhe vino teka.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!