Miratimi i Zgjedhores e Territoriales, Alibeaj: 2 prioritetet e PD, nisim punën për zgjedhje të lira

schedule21:39 - 10 Shkurt, 2022

schedule 21:39 - 10 Shkurt, 2022

Bashkë me zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut parlamenti miratoi dhe ngritjen e dy komisioneve të posaçme për Reformën Zgjedhore dhe atë Territoriale, të konsideruara nga opozita si dy prioritete të një rëndësie kombëtare. Një reagim për këtë ka Kryetari i Grupit të PD-së Enkelejd Alibeaj. Ai ka theksuar se Partia Demokratike është për një reformë të re territoriale, që nuk i konsideron qytetarët e saj vetëm numra për vota, por për një reformë që e çon qeverisjen vendore më afër tyre.

Kuvendi i Shqipërisë vendosi sot ngritjen e Komisionit të Reformës zgjedhore dhe atë Territoriale, dy priorite kryesore të PD. Ne jemi për një reformë të re territoriale e cila nuk i konsideron qytetarët vetëm numra për vota, por e çon qeverisjen vendore më afër tyre.  Për këtë, ne do të  nisim konsultimet me ekspertë dhe qytetarë në të gjithë vendin, për të mundësuar një ndarje të re territoriale sipas vullnetit dhe nevojave të njerëzve  dhe jo tekave të politikanëve.

Masakra zgjedhore e 25 prillit u pamundesoi shqiptarëve ndryshimin. Dhunimi i votës së lirë,  është burimi i korrupsionit, varfërisë keqqeverisjes që po e zbraz vendin. Prandaj prioriteti ynë është ti mundësojmë shqiptarëve të votojnë të lirë, që vullneti i tyre të mos tjetërsohet. Me ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, ne nisim pa humbur kohë punën që në bashkëpunim me ekspertët më të mirë të adresojmë problematikat dhe të ngremë mekanizmat e nevojshëm ligjorë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. PD do të bëjmë gjithçka për tu dhënë shqiptarëve ndryshimin që duan, të ardhmen që meritojnë”, shkruan Alibeaj.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!