Miratimi i vizave, reagon kryeministria: Lëvizja pa viza nga 1 janari

schedule12:36 - 18 Prill, 2023

schedule 12:36 - 18 Prill, 2023

Zyra e kryeministrit Albin Kurti ka reaguar menjëherë pas vendimit të Parlamentit Evropian për miratimin e liberalizimit të vizave për Kosovën. Në reagimin e kryeministrisë thuhet se një gjë e tillë u falë punës sonë u arrit zhbllokimi i procesit.

Ndërkohë në lidhje me këtë vendim pritet që nënshkrimi të bëhet të mërkurën, ku të pranishëm do të jetë zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Për këtë zyra e kryeministrit ka dhënë detaje për procedurën pas miratimit nga Parlamenti Evropian.

”Liberalizimi i vizave tashmë është realitet. Ditën e sotme u votua pozitivisht në Parlamentin Evropian dhe vendimi final mbi liberalizimin e vizave. Ai do të nënshkruhet zyrtarisht ditën e nesërme në Strasburg nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli i BE-së, ku do të jetë prezent dhe zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi.

Rregullat e reja mbi heqjen e regjimit të vizave për Kosovën do t’i lejojnë qytetarët të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180 ditore. Kosova i kishte plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave me kohë, por deri më tani mungonte konsensusi në mesin e vendeve anëtare për avancimin e procesit.

Falë punës së Qeverisë sidomos në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit e menaxhimit të migrimit u arrit zhbllokimi i procesit dhe bindja e institucioneve të BE-së dhe vendeve anëtare se Kosova meriton përfundimin e procesit të liberalizimit të vizave dhe se vendi ka bërë progres e arritje të rëndësishme në fushat relevante”, thuhet në reagimin e kryeministrisë.

Ndërkaq kujtojmë se Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që i nënshtrohet regjimit të vizave. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!