Miratimi i rezolutës për “Srebrenicën”/ Gjinishi: Konfirmoi dështimin e diplomacisë serbe! Kulla: Vuçiç ka për qëllim krijimin e “Botës Serbe”

schedule21:43 - 24 Maj, 2024

schedule 21:43 - 24 Maj, 2024

TIRANË- Të enjten, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën, me anë të së cilës “Maskra e Srebrenicës” do të cilësohet si gjenocid që ka kryer regjimi i ish-Jugosllavisë mbi popullsinë myslimane në Bosnje.

Në atë masakër u vranë 8 mijë burra dhe djem, ndërsa Aleksandër Vuçiç në fjalën e tij në Asamblenë e OKB-së  tha se miratimi i rezolutës do hapte atë që e cilësoi si “Kutia e Pandorës”.

Pedagogu Ermir Gjinishi, i ftuar në “Zonë e Lirë” në ABC News, tha se miratimi i rezolutës dëshmoi se diplomacia serbe ka dështuar plotësisht. Ai shtoi se ka ardhur koha që Serbia përfundimisht duhet të bëjë zgjedhjen e saj përfundimtare mes lindjes apo perëndimit.

“Vuçiç është pjesë e shkollës së Millosheviçit. Miratimi i rezolutës nuk tregon ndarjen, sepse ndarja ka qenë. Miratimi i rezolutës tregon se diplomacia e Serbisë ka dështuar.  Kjo është shuplakë për Vuçiçin dhe për aleatë e Vuçiçit. Qeveria refuzoi sanksionet, sulmoi Banjskën dhe u tërhoq, priti presidentin kinez, zyrtarë, Vuçiç dhe zyrtarë të lartë të Serbisë dhe të Republikës Srpska shkojnë e vijnë në Moskë, sikur po shkojnë në Beograd. Tani Europa po e kupton se gjithë ajo tolerancë ka shkuar huq. Nuk ka luftë dhe ndoshta ky është momenti i fundit, që Serbia përfundimisht do duhet të zgjedhë: është me perëndimin apo me lindjen. Serbia nuk ka fuqi të bëjë luftë, por ndjek rrugën presionit për t’i arritur gjërat në tavolinë”, tha ai.

Eksperti i sigurisë, Ilir Kulla, u shpreh se Aleksandër Vuçiç po tenton të krijojë të ashtuquajturën “Botën serbe” dhe këtë po e dëshmon se nuk ka frikë nga vendet e perëndimit. Sipas tij, “trimërimi” i Vuçiç vjen si pasojë e mbështetjes që merr nga Rusia dhe Kina.

“Serbia ka për qëllim krijimin e “Botës Serbe”. Duan ndarjen e Bosnje Hercegovinës, ndarjen e Kosovës, ndarje në Mal të Zi.  Kina dhe Rusia i kanë dhënë oksigjen Vuçiç”, tha ai./ abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!