Sondazh

Në SPAK nis epoka Braho:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Miratimi i marrëveshjes së pensioneve nga senati italian/ Zv ministrja e Financave: Ndihmon mijëra shqiptarë të mos humbin kontributet. Takime dhe me Greqinë

schedule19:29 - 5 Mars, 2025

schedule 19:29 - 5 Mars, 2025

Senati italian miratoi me 129 vota pro marrëveshjen për njohjen e pensioneve midis Shqipërisë dhe Italisë, nga e cila përfitojnë mbi 500 mijë shqiptarë që jetojnë në shtetin fqinj dhe 4 mijë italianë këtu.

Zëvendës ministrja e Financave, Olta Manjani tha në një intervistë për “Edicionin qendror” me Juli Krisafin se marrëveshja do të hyjë në zbatim pasi të dekretohet nga presidenti i Italisë.

“Numri i përfituesve nga pala shqiptare është shumë më i lartë. Marrëveshja ka disa parime. Më i rëndësishmi është bashkimi i periudhave në republikën e Shqipërisë. Një shtetas duhet të ketë minimumi 15 vite kontributive për të bërë lidhjen e pensionit. Në Itali duhen 20 vite. Nëse një shtetas ka punuar 14 vite në Shqipëri dhe 19 vite në Itali, në mungesë të një marrëveshjeje, nuk do të përfitonte pasi nuk ka përmbushur periudhën minimale. Me marrëveshjen, bëhet bashkimi i viteve dhe përfitohet një pension. Merret ekuivalenti i 14 viteve në Shqipëri dhe 19 viteve në Itali. Ky element bashkimi i periudhave kontributive bën që shtetasi shqiptar të mos humbë asnjë vit kontributiv. Një element tjetër është eksportimi i përfitimeve. Personi nuk duhet të vijë në Shqipëri por mund ta bëjë aplikimin pranë institucionit zbatues, homologu i Institutit të Sigurimeve Shoqërore në Shqipëri. Ose një shtetas italian mund ta bëjë aplikimin pranë Institutit të Sigurimeve Shoqërore”, u shpreh Manjani.

Zëvendës ministrja e Financave u ndal edhe te mundësia e një marrëveshjeje me Greqinë. Ajo tha se pas shumë vitesh përpjekje, pala greke ka pranuar të ulet në tryezën e diskutimeve. Deri më tani janë zhvilluar dy takime, ku është konkluduar se skemat e pensioneve të të dyja vendeve janë të përputhshme.

Manjani shtoi se presin që të nisin zyrtarisht negociatat për të arritur një marrëveshje edhe me Greqinë.

“Shenja e mirë që kemi arritur të ulemi pas shumë vitesh përpjekjesh për të bërë takime në nivel teknik, për të kuptuar nëse skemat janë të përputhshme. Dhe nga rezultatet, kemi konkluduar se skemat janë të përputhshme. Një sinjal pozitiv që të nisim negociatat zyrtarisht me shtetin grek.”, shtoi Manjani./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!