Mira Rakacolli: Kemi kushte për të ruajtur Pfizerin! Varianti i ri? S’ka kufizim të fluturimeve

schedule12:37 - 6 Janar, 2021

schedule 12:37 - 6 Janar, 2021

Zv. ministrja  e Shëndetësisë Mira Rakacolli ka folur për procesin e vaksinimit duke deklaruar se ashtu sikurse është premtuar ai do të nisë në muajin Janar. Ajo tha se në Shqipëri ka kushte për të mbajtur vaksinat e siguruara, si për Pfizerin e cila kërkon një temperaturë shumë të ftohtë deri në -70 gradë, po ashtu edhe për vaksinat e tjera.

“Vaksinimi do të fillojë brenda muajit Janar. Fillohet me personelin shëndetësor në katër spitalet COVID. I kemi të gjitha kapacitetet për ruajtjen e vaksinës. Njëkohësisht kemi një listë të plotë të të gjithë personelit shëndetësor. Është një proces i mirëmenduar. Beteja e COVID nuk është vetëm betejë e shëndetësisë. Duhet të jemi të gjithë të përfshirë në këtë betejë. Procesi i vaksinimit është një proces që nuk mund të bëhet njëhkohësisht në të gjithë vendet e botës, Do të fillojë me personelin shëndetësor”, deklaroi Rakacolli.

 

Lidhur me mutacionin e ri të COVID-19, Rakacolli u shpreh se nuk ka informacione për përhapje masive të tij në shtete të tjera, ndaj nuk është parë e arsyeshme shtrëngimi i masave kufizuese ndaj tyre ashtu si me Britaninë  e Madhe.

“Dinamika është njësoj si në vendet e tjera të botës. Gjithçka do të jetë në vijimësi të ardhjes së dozave. Nuk ka diferencë Shqipëria. Sa i përket fluturimeve, ne nuk kemi të dhëna të qarta për virusin anglez i cili dihet me shumicë në vendet e tjera të botës. Janë disa raste sporadike në vende të tjera dhe nuk mund të marrësh masa për raste sporadike. Nëse do ketë bum si në Angli do marrim masa edhe ndaj shteteve të tjera”, u shpreh Rakacolli./mv.abcnews.al