Rikthime të shumta, një debutim dhe supriza. Trajneri i Kombëtares, Silvinjo publikoi listën me 26 futbollistët që do të ketë në dispozicion për dy ndeshjet miqësore të marsit kundër Kilit dhe Suedisë, duke bërë ndryshime të mëdha nga skuadra që mbylli eliminatoret e Euro 2024.
Duket se sulmi do të jetë fokusi i trajneri kuqezi, i cili ka dërguar ftesa për nëntë lojtarë ofensivë.
Armando Broja dhe Rei Manaj kthehen me skuadrën kuqezi. Silvinjo do të shohë nga afër sulmuesin e Fulham, pavarësisht se te skuadra londineze ka gjetur pak hapësira. Nga ana tjetër, e detyruar është thirrja për Manaj, i cili po shkëlqen në Superligën turke, ku është në garë për “Këpucën e Artë”.
Surprizë është lënia jashtë e Arlind Dakut dhe Arbnor Mujës, të cilët ishin pjesë e kombëtares në eliminatoret e Euro 2024.
Në vend të tyre, pritet të debutojë Arbër Hoxha, sulmuesi i Dinamo Zagreb, që bashkohet me skuadrën kuqezi pas golit të shënuar në Konferencë Ligë. Ftesë edhe për Muçollin, ndërsa nuk ndryshon pjesa tjetër e repartit ofensiv me Cikalleshin, Seferin, Uzunin, Muçin dhe Asanin.
Asnjë ndryshim në mesfushë, ndërsa rikthime ka edhe mes mbrojtësve. Dëmtimi ka lënë jashtë Ardian Ismajlin, ndërsa një ftesë ka marrë Marash Kumbulla që kthehet me kombëtaren pas një mungese të gjatë. Po ashtu, ftesë ka marrë edhe Naser Aliji.
Kombëtarja do të nisë përgatitjet ditën e hënë, përpara se të udhëtojë drejt Parmës, ku më 22 mars do të luajë miqësoren e parë kundër Kilit.
Tre ditë më pas, kuqezinjtë do të luajnë miqësoren e dytë në Stokholm kundër Suedisë.
Këto dy sfida janë shumë të rëndësishme përpara finaleve të Euro 2024, ndërsa do të ndihmojnë Silvinjon për të vendosur mbi lojtarët që do të marrë me vete në Gjermani verën e ardhshme./h.ll/abcnews.al