Kosova ka gjetur një kundërshtar për miqësore, çka është konfirmuar përmes një komunikate të FFK në uebin zyrtar të qeverisë së futbollit dardan. Skuadra e drejtuar nga Bernard Challandes do të ndeshet me Suedinë dhe kjo sfidë luhet më 12 janar në Katar.
“Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e meshkujve më 12 janar do të zhvillojë ndeshje miqësore me Suedinë. Takimi zhvillohet në Doha të Katarit. Detajet në lidhje me këtë ndeshje do të bëhen të ditura nesër (e martë, 10.12.2019) në një konferencë për media që do të mbahet në selinë e Federatës së Futbollit të Kosovës, në orën 11:00”, thuhet në njoftimin e bërë nga FFK.
Kosova fokusin kryesor e ka te ndeshja me Maqedoninë e Veriut, që luhet në mars. Dardanët duan të sigurojnë pjesëmarrjen në EURO 2020 dhe do tentojnë t’i kalojnë me sukses fqinjët, për të luajtur më pas finalen e madhe me fituesin e çiftit Gjeorgji-Bjellorusi. /abcnews.al

