Analisti Skënder Minxhozi thotë se është e vështirë krijimi i një poli të tretë në politikë. Në një intervistë për “Newsline”, analisti tha se një pjesë e të djathtës ndihen të papërfaqësuar dhe se është e vështirë gjithashtu që një formacion i ri, me rregullat e reja zgjedhore, të fusë deputetë në parlament.
“T’iu them të drejtën çdo nisëm ose çdo vullnet të shprehur për të krijuar një formulë apo skemë politike që nuk do të përfshinte Bashën apo Berishën do të më dukej gjest emocionues. Nëse shohim sesa kohë i është dashur Alibeajt, që të procesojë në veprimin e tij politik që Berisha është element negativ në PD, shumë vite. Sa kohë i është dashur më vonë që të bindet që edhe Basha është një i tillë me më pak kusure? Nëse shohim këtë trajektore, kuptojmë se ose aftësia parashikuese, vizioni dhe largpamësia e një pjese të politikanëve të PD që sot me të drejtë s’e gjejnë veten te Berisha apo te Basha, ose më pas, këta persona kanë dëgjuar dhe kuptuar por s’kanë filluar se ashtu ka qenë puna. Në këto kushte, qoftë njëra apo tjetra s’i nxjerr në një rezultat të mirëpritur.
Sot jemi vonë, Berisha ka fituar vulën dhe stemën, dhe në kohë zgjedhjesh, e gjithë kjo nebulozë grimcash që tenton t’i largohet qendrës ka më pak shanse të fitojë sesa vetë epiqendra që sot është partia e Berishës. Të cenosh atë bërthamë që i ka mbetur Berishës, çdo përpjekje për ta çarë është e pamundur sidomos në kushtet e një formacioni të ri politik dhe në kushtet kur do të luftojnë sërish Rama, Berisha ndoshta edhe Meta dhe për të tjerët do të jetë e vështirë edhe në bazë të rregullave të reja zgjedhore që të fusin deputetë në parlament. E vështirë që partitë e vogla të bëjnë një zë dhe të krijojnë një pol të tretë.”, tha analisti./abcnews.al