Minutat e fundit të lojës në “Ballkan”

schedule22:22 - 5 Nëntor, 2021

schedule 22:22 - 5 Nëntor, 2021

Nga Linda Karadaku

“Shtetet e Bashkuara do të mbeten partner i palëkundur i Kosovës në mënyrë që të dëshmojmë së bashku se demokracitë mund t’u përgjigjen nevojave të qytetarëve”, do të deklaronte në gusht të këtij viti, presidenti amerikan Joe Biden. Dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, do të fliste me emocione dhe fjalë të zgjedhura, duke shprehur kështu lidhjen e veçantë midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. “Në ditët e mira, në të këqijat, në dritë dhe në errësirë, ne e ndiejmë dorën tuaj mbi supet tona. Zoti President, më lejoni t’jua them juve dhe gjithë qytetarëve të Shteteve të Bashkuara: Kosova është edhe shtëpia juaj. Burrave e grave të vendit tuaj, anëtarëve të stafit tuaj, stafit diplomatik dhe gjithë njerëzve të Amerikës, të cilët dëshirojnë ta vizitojnë këtë vend, u themi se do t’i shohim gjithmonë sikur të ishin njëri prej nesh” tha Vjosa Osmani.

Dhe me sa duket, tita-taku i orës po troket, për të mbyllur edhe kapitujt e fundit të rebusit ballkanik, për të mos lënë asgjë në dorë të fatit, që në Ballkan, ka qenë gjithmonë kronikë e një kasaphane të paralajmëruar. Presidenca Biden duket që tashmë ka mbledhur një pesëshe diplomatike buldozerësh që të gjithë së bashku, kanë një përvojë prej dekadash në Ballkan, që nga vitet 90’të dhe njohin mirë terrenin dhe lojtarët që luajnë në të. Ambasadorë të rinj në Beograd, Prishtinë dhe Sarajevë, ndoshta edhe në Podgoricë, që dërgohen në Ballkan nga shefi I ri për Ballkanin në Departamentin e Shtetit, Gabriel Escobar. Nuk duket të jetë rikthim I SHBA-ve në Ballkan, sepse Uashingtoni ka qenë gjatë gjithë kohës I pranishëm dhe aktiv, ndërkohë që janë bërë shumë punë, me Kroacinë anëtare të NATO-s dhe BE-së; me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, anëtare të NATO-s, në pritje të hapjes së negociatave me BE-në; me Maqedoninë e Veriut, me një problem emri të zgjidhur tashmë me Greqinë; me Malin e Zi që megjithatë qëndron në këmbë, pavarësisht nga konfliktet e nxitura nga Serbia; dhe Kosovën dhe Serbinë, të cilat, megjithatë, janë në një proces dialogu për të arritur një marrëveshje përfundimtare, me njohje reciproke, ligjërisht të detyrueshme.

Pesëshja amerikane duket të jetë përgatitje për një proces të përmbylljes që problemeve të hapura në Ballkan dhe kjo veçanërisht e rëndësishme, po të kihet parasysh se amerikanët ua lanë evropianëve që të merreshin me situatën post-konflikt në Ballkan, duke përdorur fuqinë e tyre të butë, “soft power”, por edhe sepse Brukseli do të duhej të kishte interesat më të mëdha në të. Por fuqia e Brukselit nuk dukej të ishte ajo që pritej, Evropa humbi shumë kohë dhe nuk ka arritur atë që ishte qëllimi, integrimi I gjithë Ballkanit në BE dhe/ose në NATO, si një shtytje dhe garanci për stabilitet dhe përparim.

Ndërkohë, telashet me Rusinë dhe aleatët e saj janë po aq problematike sa kanë qenë. Mali i Zi është një shembull që tregon dobësimin e kohezionit në NATO edhe para tërheqjes amerikane nga Afganistani, sepse ardhja e qeverisë së re në Podgoricë shënoi gjithashtu depërtimin e thellë të Rusisë në punët e këtij anëtari të NATO -s, për të cilin, Aleanca nuk kishte përgjigje, përveç deklaratave jopersonale të herëpashershme. Kjo është arsyeja pse Gabriel Escobar kohët e fundit deklaroi shumë hapur se Shtetet e Bashkuara kishin mekanizma të ndryshëm diplomatikë dhe politikë për të kundërshtuar ndikimin e Rusisë (por edhe veprimet destruktive të Serbisë) në Mal të Zi, duke përmendur sanksionet individuale dhe izolimin politik. Gjithsesi, qasja e re amerikane në Ballkan, duket se do të fokusohet në veçanti në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, ku do të jenë  Christopher Hill në Beograd, Michael Murphy në Sarajevë dhe Jeffrey Hovenier në Prishtinë, ndërsa në Uashington, Gabriel Escobar. Secili prej tyre ka përvojë personale nga luftërat ose vitet e pas-luftërave në Ballkan, Christopher Hill ishte në Rambuje dhe një diplomat I rangut të lartë gjatë luftës së Kosovës.

GABRIEL ESKOBAR

Gabriel Escobar është i dërguari i ri amerikan për Ballkanin Perëndimor. Diplomat karriere, Escobar, e njeh shumë mirë situatën në Ballkan. Flet disa gjuhë, përfshirë edhe serbishten, dhe që nga viti 1998, ka mbajtur pozicione të njëpasnjëshme në Serbi, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Mali të Zi.  Së fundi ka qenë zëvendësambasador amerikan në Beograd. Gabriel Escobar, ka qenë në një nga misionet e tij në Ballkan, edhe shef i kabinetit në Zyrën e Përfaqësuesit të Lartë në Banja Lukë dhe shef i Zyrës së Ambasadës Amerikane në këtë qytet. Shefi I serbëve të Banja Llukës, Milorad Dodik, është vënë tashmë nën sanksionet amerikane. I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të premten se situata e tanishme në Ballkan ka shumë ngjashmëri me atë të viteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, kur tensionet etnike u ngritën dhe kur kishte shumë që dëshironin t’i shfrytëzonin ato.

“Që nga Dejtoni e këndej, megjithatë kanë ndodhur shumë gjëra pozitive dhe kur i analizoni do të shihni se të gjitha ato ishin fryt i integrimeve euroatlantike. Prandaj, partnerëve tanë evropianë, ua përmendin nevojën që të përshpejtohen integrimet dhe për këtë arsye Ballkani është lart në agjendën tonë kur flasim me ta”, ka thënë Escobar në Forumin 2BS, që është mbajtur në Budva të Malit të Zi. Ai ka thënë se në samitin e fundit të NATO-s, edhe pse joformalisht, është shprehur frika se është e rrezikshme që të ndahen informacione me qeverinë e re në Podgoricë. Escobar ka thënë se ky shqetësim është real dhe se njerëzit në Mal të Zi duhet të jenë të vetëdijshëm që NATO ka shumë mënyra që t’i mbajë informacionet, por çdo qeveri duhet të jetë e vetëdijshme që kjo është diçka që e dobëson atë dhe shtetin e saj. Ai ka thënë se forcat pro-serbe në Mal të Zi duhet ta kuptojnë që ky shtet duhet të jetë shtet sovran, demokratik, dhe anëtar I NATO-s me orientim perëndimor, dhe ka shtuar se për ato forca që e rrënojnë përparimin e vendit, I cili që prej 25 vjetësh, ka qenë një histori suksesi, SHBA ka përgjigje në formën e sanksioneve, presionit politik, ndërsa në vetë Malin e Zi, izolimin e forcave që kanë tendenca të tilla.

CHRIS HILL

Christopher Hill ka qenë i angazhuar në përfundimin e luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë. Hill shërbeu në Beograd në fillim të viteve ’80-të. Shërbeu gjithashtu si Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit. Ai udhëhoqi delegacionin amerikan gjatë bisedimeve me përfaqësuesit e Koresë së Veriut mbi çarmatimin bërthamor në 2003. Punoi në Poloni, Korenë e Jugut dhe Irak – ku Shtetet e Bashkuara kishin ndoshta ambasadën më të madhe në botë në atë kohë. Hill është i lidhur drejtpërdrejt me Presidentin Biden dhe Sekretarin e Shtetit Blinken. Në Beograd, emri I ambasadorit të ri lidhet me administratën e ish -Presidentit Bill Clinton, vitet e sanksioneve, izolimin, bombardimet dhe ndërhyrjen e NATO -s në Kosovë, të gjitha të paraprira nga negociatat e Rambujesë dhe e ashtuquajtura diplomaci lëvizëse ose shuttle diplomacy (shatëll dipllomasi). Hill vjen me një trashëgimi bashkëpunimi me ish-presidentin Clinton dhe ish-sekretaren e shtetit  Madeleine Albright. Nominimi i Hill u shoqërua me informacionet në lidhje me shkurtimin e mandatit të ambasadorit aktual amerikan në Beograd, Anthony Godfrey.

JEFFREY HOVENIER

Jeffrey Hovenier e njeh mirë Planin Ahtisaari, mbi bazën e të cilit u shpall pavarësia e Kosovës. I nominuar i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden për ambasador në Kosovë, ka thënë se ka qenë pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për ta mbrojtur popullin e Kosovës gjatë luftës së fundit në disa aspekte, duke theksuar rolin që ka pasur si anëtar i ekipit të Kombeve të Bashkuara, të krijuar nga ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, “i cili ka krijuar ‘Planin Ahtisari’ dhe ka hapur rrugën për pavarësinë e Kosovës”. Hovenier ka folur për mbështetjen për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, i cili siç ka thënë Hovenier – duke cituar presidentin Biden – duhet të ketë në qendër “njohjen reciproke”. Hovenier ka nënvizuar se Kosova është shtet i pavarur dhe se autoritetet në Kosovë qeverisin gjithë shtetin. “Ne e pranojmë se Serbia dëshiron të mbështesë komunitetin serb në Kosovë, kjo është e arsyeshme. Mirëpo kjo gjë duhet bërë brenda kornizës kushtetuese dhe sipas ligjeve të Kosovës”, ka thënë ai. Ajo që duket shumë e rëndësishme është qëndrimi në lidhje me FSK-në. Hovenier ka thënë se do të mbështesë zhvillimin gradual dhe transparent të FSK-së, duke thënë se SHBA-ja mund të ndihmojë në avancimin e Kosovës nga konsumatore në ofruese të sigurisë.

“Nëse zgjidhem ambasador, do të mbështes zhvillim gradual dhe të vazhdueshëm të FSK-së në forcë multi-etnike, ndërvepruese me NATO-n dhe forcë për mbrojtje territoriale”, ka theksuar ai. Po kështu, shumë I rëndësishëm është edhe qëndrimi në lidhje me njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur atë, Spanja, Sllovakia, Qiproja, Rumania dhe Greqia. Hovenier ka deklaruar se do të inkurajojë vendet e BE-së që nuk kanë njohur shtetësinë e Kosovës, që të mendojnë rreth ndikimit që mund të ketë kjo në procesin e anëtarësimit. Jeffrey Hovenier është emër I njohur në Prishtinë. Ish Presidenti Hashim Thaçi I dorëzoi zotit Hovenier Medaljen Presidenciale Jubilare të Dhjetëvjetorit të Pavarësisë, në qershor të vitit 2018. Hovenier, zëvëndësshef i misionit të ambasadës amerikane në Ankara, ka shërbyer edhe në ambasadën amerikane në Berlin dhe në misionet e SHBA-së në Kroaci, Greqi, Panama, Paraguai dhe Peru. Në Uashington ai shërbyer si Drejtor për Çështjet të Evropës Qendrore dhe Juglindore në Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe në Byronë e Departamentit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike me përgjegjësi për NATO-n dhe Çështjet e Evropës Qendrore.

JAMES O’BRIEN

Diplomati James O’Brien, ish i dërguari amerikan në Ballkan, James O’Brien, aktualisht nënkryetar i Grupit Albright Stonebridge, ka deklaruar se gjëja më e rëndësishme nuk është që Shtetet e Bashkuara të mbështesin një të ardhme evropiane për rajonin, por të punojnë me Bashkimin Evropian për ta bërë atë të ardhme nje realitet. Ai ka theksuar se një nga simbolet më të rëndësishme në ditët e para të qeverisë së re gjermane do të ishte mundësia e hapjes së kapitujve negociues me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. O’Brien ka ndjekur nga afër iniciativën e përbashkët të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut të njohur si mini-Shengen, e cila tashmë është emërtuar Ballkani i Hapur. Ai tha se një nismë e tillë që siguron lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave ishte gjithashtu qëllimi i procesit të Berlinit. Kosova ka refuzuar të jetë pjesë e kësaj nisme. “Unë me të vërtetë shpresoj se Kosova do të gjejë një mënyrë për të marrë pjesë në këtë nismë”, ka deklaruar O’Brien.

Presidenti Biden e ka emëruar James O’Brien për të zbatuar në praktikë urdhrin e tij ekzekutiv ku parashikohet ngrirja e pasurive si dhe ndalimi i hyrjes në SHBA për ata zyrtarë nga Ballkani Perëndimor që vijojnë ta destabilizojnë këtë rajon, kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike. Urdhri i ri presidencial ka përfshirë edhe Shqipërinë dhe zgjeron kriteret për kërcënimet aktuale ndaj sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara dhe interesave të politikës së jashtme në rajon, duke përfshirë pengimin e proceseve demokratike dhe gjyqësore, korrupsionin dhe krimin e organizuar. O’Brien e njeh mirë situatën në Ballkanin Perëndimor, sepse ka punuar më parë në këtë rajon. Nga viti 1989 deri në vitin 2001, shërbeu si Këshilltar i Lartë i Sekretares së Shtetit Madeleine Albright dhe i dërguar presidencial për Ballkanin Perëndimor. Me marrjen e detyrës zyrtarisht, ai duhet të zbatojë regjimin e sanksioneve, pra “listën e zezë” amerikane.

Urdhri i Biden është vazhdim i një urdhri të vitit 2001 të ish-administratës Bush, ku parashikohen sanksione për individët me pushtet nga Ballkani Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Me vendimmarrjen e administratës së re amerikane ky urdhër është zgjeruar duket përfshirë edhe sanksione ndaj personave që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike. Në vitin 1992, James C. O’Brien ishte një punonjës i ri që punonte në zyrën pak të njohur të Këshilltarit Ligjor në Departamentin e Shtetit kur lexoi raportet e para të shtypit që detajonin mizoritë dhe spastrimin etnik në Bosnjë. Edhe pse Ballkani nuk ishte fusha e tij dhe ai kishte qenë në departamentin e shtetit për vetëm tre vjet, O’Brien u prek aq shumë sa filloi të pyeste se çfarë dinin Shtetet e Bashkuara për pretendimet për gjenocid. I diplomuari i Shkollës Juridike të Jeil, filloi të lobojë që të bëhej diçka. “Të gjithë thanë se ishte e pamundur sepse ishte shumë e komplikuar,” do të deklaronte më vonë ai. “Por unë kuptova se me të vërtetë duhet të bënim diçka,” theksoi ai.

Me një grup të vogël punonjësish të rinj, O’Brien filloi të eksploronte opsionet. Puna e tyre prodhoi idenë dhe mekanizmin për të krijuar atë që u bë më vonë Tribunali i Krimeve të Luftës në Hagë, një organ i autorizuar ndërkombëtarisht për të paditur dhe gjykuar ata që ishin përgjegjës për të gjitha mizoritë e kryera. Kur ishte vetëm 32 vjeç, O’Brien, u emërua këshilltar special i presidentit dhe sekretarit të shtetit për demokracinë në Ballkan. O’Brien njihet për “energjinë e tij të pakufishme”.

MICHAEL MURPHY

Michael J. Murphy, një veteran i Shërbimit të Jashtëm Amerikan, u emërua Zëvendës Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike më 18 qershor 2018. Ai mbikëqyri sigurinë evropiane, përfshirë NATO-n, OSBE-në dhe kontrollin e armëve konvencionale, Evropën Veriore, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Irlandën dhe vendet nordike dhe baltike, si dhe Sigurinë Arktike. Nga 18 shkurti deri më 1 shtator 2019, shërbeu si Ushtrues detyre i Zëvendës Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike. Ai ka qenë gjithashtu Drejtor i Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjet Politiko-Ushtarake në Byronë e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike. Murphy ka shërbyer edhe si Zëvendës Shef i Misionit në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, nga viti 2009 deri në 2012. Para emërimit të tij në Kosovë, Murphy shërbeu për tre vjet si Këshilltar Politik në Ambasadën Amerikane në Sarajevë.

Presidenti Joe Biden e ka nominuar diplomatin veteran për ambasador të ardhshëm të SHBA në Bosnjë dhe Hercegovinë. Murphy flet serbisht përveç të tjerash. Skuadra amerikane për Ballkanin pritet të sjellë një kombinim të diplomacisë së vendosur, të përforcuar me dënimin e politikanëve dhe lojtarëve kryesorë me sanksione individuale, gjë që është një segment I rëndësishëm I politikës së jashtme të Biden. Me ekipin e saj të ri në Ballkan, Amerika duket se do të veprojë vetë dhe në emrin e vet, dhe nëse ka nevojë për ndihmë në ndonjë gjë, do ta gjejë atë në BE (siç është rasti i negociatave Prishtinë-Beograd), në NATO (në rastin e Malit të Zi) ose në një aleat specifik perëndimor, për shembull, tek Gjermania, kur bëhet fjalë për Bosnjë dhe Hercegovinën. Dhe ndoshta këtë herë, nuk do t’ia lërë “punën” askujt tjetër derisa ta përfundojë./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!