Ministrja gjermane: Sundimi taliban është një “hap drejt kthimit në Epokën e Gurit”

schedule11:36 - 15 Gusht, 2023

schedule 11:36 - 15 Gusht, 2023

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, e ka dënuar qeverisjen e Afganistanit nga grupi islamist, Taliban, në dyvjetorin e uzurpimit të pushtetit nga talibanët.

“Dy vjet sundim nga talibanët nënkupton dy vjet kthim mbrapa drejt Epokës së Gurit për njerëzit e Afganistanit”, tha Baerbock në një komunikatë më 14 gusht.

Miliona njerëz në Afganistan po vuajnë nga uria nën sundimin e talibanëve, të cilët për çdo ditë po ua heqin nga një të drejt grave dhe vajzave, tha ajo.

Baerbock e hodhi poshtë mundësinë që Gjermania t’i normalizojë marrëdhëniet me qeverinë talibane, e cila nuk është njohur nga asnjë shtet deri tani.

Talibanët e morën pushtetin në dorë më 15 gusht të vitit 2021, pas largimit të forcave të SHBA-së dhe NATO-s. Që nga atëherë Afganistani i ka humbur ndihmat për zhvillimin e vendit dhe mbështetjen financiare nga donatorët perëndimorë.

Pasi mbeti nën sundimin taliban, Afganistani u bë njëri prej vendeve të goditura më së rëndi nga kriza në botë, pasi më shumë se 28 milionë njerëz – apo rreth dy e treta e popullsisë së tij – ka nevojë urgjente për ndihma humanitare, sipas Human Righst ëatch.

Qeveria teokratike e talibanëve ka vendosur kufizime në çdo aspekt të jetës në Afganistan, përfshirë paraqitjet fizike të banorëve, në liri të lëvizjes, në të drejtën për të punuar e studiuar, si dhe qasjen në forma të argëtimit.

Gratë e kanë pësuar më së shumti, dhe grupe për të drejta të njeriut i kanë akuzuar talibanët se po tentojnë t’i zhdukin gratë nga jeta publike dhe që t’i burgosin ato nëpër shtëpi.

Deri më tani, talibanët i kanë lëshuar mbi 100 urdhra në linjë me interpretimin e tyre të ashpër të Ligjit islamik të Sheriatit.

Pjesëtarë të “Policisë së Moralit” i kanë ndëshkuar publikisht shkelësit e vendimeve, me raste edhe në mënyrë të dhunshme.

Burrat dhe gratë janë burgosur, apo janë rrahur me kamxhikë nëpër hapësira publike.

Shumë prej urdhrave dhe kufizimeve të talibanëve janë rikujtim i veprimeve të tyre kur kanë qenë për herë të parë në pushtet, më 1996-2001, kur ata i kanë privuar afganët edhe prej të drejtave më bazike.

Prej kthimit në pushtet, talibanët e kanë futur nën tavolinë Kushtetutën e Afganistanit dhe e kanë ndryshuar sistemin e drejtësisë./REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!