Zëvendësministrja e Shëndetësisë ka takuar personat me aftësi të kufizuara që ishin në grevë urie në Elbasan dhe u premtoi se do u jepen brenda këtyre ditëve të fundit të vitit, të gjitha paratë e refuzuara.
Bëhet fjalë për paketën e ndihmës higjeno-sanitare, që është 16 mijë lekë. Ministria ka vendosur krijimin e grupeve të posaçme që do të shkojnë t’u bëjnë kontrollet e nevojshme nëpër banesat, gjithsecilit prej invalideve të prekur nga ndryshimet e fundit.
Kujtojmë që me vendimin e Këshillit të Ministrave përcaktohet se personat të cilët kanë dëmtime definitive, pa perspektivë përmirësimi të gjendjes shëndetësore, deklarohen invalidë të përjetshëm dhe duhet të paraqiten çdo 6 muaj pranë në Komisionin Mjekësor Epror. Por ata e kishin të pamundur te kryenin kontrollet.
Pas premtimeve të zyrtares së ministrisë së Shëndetësisë, invalidët dolën nga greva e urisë. /abcnews.al