Ministria e Mbrojtjes u ka dërguar letër 12 prefektëve për marrjen e masave parandaluese për situatën e pritshme emergjente që mund të krijohet nga reshjet dhe ngricat në vendin tonë.
Ministria e Mbrojtjes u ka kërkuar gjithë prefektëve të qarqeve, por edhe drejtuesve të bashkive dhe drejtuesve të institucioneve qendrore në nivel rajonal dhe vendor, për marrjen e masave urgjente sipas fushave të përgjegjësisë, për përballimin e çdo situate emergjente, si dhe sigurimin e kushteve për jetën normale të komunitetit.
Përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, ministria u ka kërkuar prefektëve të komunikojnë me subjektet kontraktore që këto të venë në dispozicion të gjitha kapacitetet e tyre njerëzore dhe teknike, të grumbullojnë sasi të mjaftueshme kripe, etj, për të ndërhyrë në pastrimin e rrugëve nga dëbora, eliminimin e ngricave në rrugë, pastrimin e rrugëve nga inertet dhe gurët që mund të bien në rrugë, etj.
Gjithashtu Ministria e Mbrojtjes u ka kërkuar prefektëve bashkëpunimin me Policinë e Shtetit, ARRSH dhe OSHEE për të pasur një menaxhim dhe qarkullim normal të automjeteve në akset rrugore, veçanërisht të atyre që kryejnë transportin e nxënësve dhe mësuesve për në shkolla, si dhe të punohet për eliminimin në kohë të defekteve në furnizimin me energji elektrike të komunitetit, objekteve social-kulturore, spitaleve, etj, për të përballuar sa më mirë situatën që mund të krijohet.
Në bashkëpunim me Forcat e Armatosura janë marrë masat dhe janë në gatishmëri për të përballuar situatën e vështirë që pritet të krijohet nga moti i keq që pritet të përfshijnë vendin tonë në ditët në vijim. Ndërkohë në gatishmëri mbeten edhe pilotët dhe helikopterët në Bazën Ajrore të Farkës, të cilët do të ndërhyjnë aty ku është e nevojshme./abcnews.al