Ministria e Mbrojtjes: Izolohet në 70% vatra në malin e Tërbunit, përkeqësohet situata në Thirrë

schedule20:08 - 14 Gusht, 2021

schedule 20:08 - 14 Gusht, 2021

Ministria e Mbrojtjes ka dhënë detaje për situatën e zjarreve në vend. Ministria bën me dije se është izoluar në masën 70% zjarri në malin e Tërbunit në Pukë.

Sipas MM, vatra e zjarrit në fshatin Flet në Fushë Arrëz vijon të jetë aktive. Pavarësisht punës së bërë nga të gjitha forcat nga toka e ajri, zjarri po përparon drejt majës së Shtrazicës me sipërfaqe pishe, në kufi me fshatin Dardhë, ndërsa në drejtim të fshatit Kryezi deri tani është mbajtur nën kontroll. Era po favorizon përhapjen me shpejtësi të zjarrit dhe deri tani janë përshkuar 30 ha me shkurre dhe pemë të ndryshme. Gjatë natës situata do të monitorohet nga forcat zjarrfikëse për të mos lejuar kalimin në fshatra.

Sipas ministrisë, situata  është përkeqësuar në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë, si pasojë e erës.

Vijon të jetë aktive vatra në “Majën e Rrunës”, Laku i Mollave dhe Laku  i Thive, njësia administrative Malzi, bashkia Kukës. Situata është përmirësuar disi, por ka ende vatra të vogla në të gjithë malin.

Njoftimi i plotë:

Zjarri në Malin e Tërbunit, bashkia Pukë është izoluar në masën 70%, pas punës së forcave në terren dhe ndërhyrjes nga ajri të helikopterit holandez. Situata është përmirësuar ndjeshëm, por ka mbetur vetëm një drejtim i vatrës se zjarrit në vendin e quajtur Qafa e Kumbullës ku po punohet nga të gjitha forcat në këtë zonë.

Vatra e zjarrit në fshatin  Flet njësia administrative Blerimaj, bashkia F.Arrëz vijon të jetë aktive. Pavarësisht punës së bërë nga të gjitha forcat nga toka e ajri, zjarri po përparon drejt majës së Shtrazicës me sipërfaqe pishe, në kufi me fshatin Dardhë, ndërsa në drejtim të fshatit Kryezi deri tani është mbajtur nën kontroll. Era po favorizon përhapjen me shpejtësi të zjarrit dhe deri tani janë përshkuar 30 ha me shkurre dhe pemë të ndryshme. Gjatë natës situata do të monitorohet nga forcat zjarrfikëse për të mos lejuar kalimin në fshatra. Nesër do të rinisë puna në orët e para të mëngjesit nga forcat e pushtetit vendor, të FA dhe nga ajri me helikopterin holandez.

Nuk paraqet rrezik për banesat zjarri në fshatin Patalej, njësia administrative Kolsh, bashkia Lezhë. Situata nga era është përkeqësuar dhe ka zgjeruar perimetrin dhe e bën të vështirë izolimin e tij përmes forcave nga toka. Vijon përhapja në verilindje të fshatit dhe në kufi me bashkinë Mirditë ( në afërsi të fshatit Katund i Vjetër).  Deri më tani është përshkuar 30 ha bimësi e ndryshme. Strukturat janë në ndjekje të situatës.

Situata është përkeqësuar në fshatin Thirrë, njësia administrative Fan, bashkia Mirditë, si pasojë e erës. Janë përshkuar deri tani rreth 200 ha. Pavarësisht punës së bërë sot nga 80 forca, ndër to 60 efektivë të FA nuk është bërë i mundur izolimi i vatrës. Si pasojë e terrenit të vështirë dhe erës puna e forcave ka qenë e rrezikshme. Por nuk paraqitet rrezik për banesa. Nesër do të vijojë ndërhyrja nga ajri.

Vijon të jetë aktive vatra në “Majën e Rrunës”, Laku i Mollave dhe Laku  i Thive, njësia administrative Malzi, bashkia Kukës. Situata është përmirësuar disi, por ka ende vatra të vogla në të gjithë malin. Nuk ka rrezik për banesat. Në këtë zonë afër fshatit Shemëri operon helikopteri Çek. Në ato zona forcat nga toka e kanë të pamundur ndërhyrjen.

Nuk ka probleme për banesat edhe në vatrën e zjarrit në Qafë Murrë, njësia administrative Selishte, B. Dibër, ku flakët kanë kaluar në një terren shkëmbor dhe me bimësi të pakët.

Zjarri në fshatin Kaçni, njësia administrative Selishte bashkia Dibër, po zhvillohet me ritëm të shtuar dhe ka dalë jashtë kontrollit duke u afruar në masivin me pisha në territorin e bashkisë Klos. Forcat operacionale janë në ndjekje të situatës.

Zjarri i rënë në një sipërfaqe pylli me pisha, në fshatin Gllavë, njësia administrative Buz, bashkia Memaliaj nuk paraqet rrezik për banesa. Në terren janë forca zjarrfikëse dhe banorë të zonës.

g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!