Njohja e diplomave, sa ECTS duhet të keni për ciklet Bachelor, Master, Specializim e Doktoraturë

schedule17:36 - 11 Maj, 2022

schedule 17:36 - 11 Maj, 2022

Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, me propozim të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve është vendosur për specifikimet dhe përmbajtjen e kodifikimit të programeve të studimit të ofruara nga Institucionet e Arsimit të Lartë në vend.

Kështu, me vendim të Këshillit të Ministrave është vendosur që të grupohen programet e studimit, të ofruara nga institucionet e arsimit të lartë në bazë të disa elementëve të radhitur si më poshtë:

a) Identifikimi i llojit të programit të studimit. Ky element përmban 4 (katër) karaktere, ku përcaktohet niveli i tij referuar Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, kohëzgjatja e programit të studimit dhe lloji i programit;

b) Fusha e detajuar, në të cilën bën pjesë programi i studimit. Ky element përbëhet nga 4 (katër) shifra, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij, referuar Klasifikimit Standard Ndërkombëtar të Arsimit 2011 (KSNA 2011), Fushat e Arsimit dhe Trajnimit 2013 ( KSNA-F 2013);

c) Një shkronjë, e cila identifikon gjuhën në të cilën zhvillohet programi i studimit, sipas shtojcës nr.2, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.

Po ashtu, është vendosur identifikimi i llojit të programit të studimit i cili do të përcaktohet, si vijon:

a) Programe studimi me karakter profesional me 60 ECTS (51PP);
b) Programe studimi me karakter profesional me 120 ECTS (52PP);
c) Bachelor, jo më pak se 180 ECTS (63BA);
ç) Master profesional me 60 ECTS (71MP);
d) Master profesional me 120 ECTS (72MP);
dh) Master i shkencave, jo më pak se 120 ECTS (72MS);
e) Master i arteve, jo më pak se 120 ECTS (72MA);
ë) Program i integruar i studimeve të ciklit të dytë me 300 ECTS (75MI);
f) Program i integruar i studimeve të ciklit të dytë me 360 ECTS (76MI);
g) Master ekzekutiv me 60 ECTS (81ME);
gj) Master ekzekutiv me 120 ECTS (82ME);
h) Specializim afatgjatë, me kohëzgjatje 2 vite akademike, me 120 ETCS, (82SA);
i) Specializim afatgjatë, me kohëzgjatje 3 vite akademike, me 180 ECTS, (83SA);
j) Specializim afatgjatë, me kohëzgjatje 4 vite akademike, me 240 ECTS, (84SA);
k) Specializim afatgjatë, me kohëzgjatje 5 vite akademike, me 300 ECTS, (85SA);
l) Doktoratë (83DO).  /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!