Ministria e Arsimit mbyll “Wisdom”: Kemi kryer kontrolle, vendimin e morëm në korrik

schedule13:37 - 17 Shtator, 2024

schedule 13:37 - 17 Shtator, 2024

Një ditë pasi mediat e vendit fqinj publikuan lajmin se pronari dhe administratori i “Wisdom” janë arrestuar në Itali  dyert e  Kolegjit Universitar në Tiranë  janë hapur.  Paraditen e të martës drejtues të shkollës nuk ndodheshin.  Në sekretari  thanë se nuk kishin dijeni për çështjen.

Savino Cianci dhe Leonardo  Catalano   dyshohet se  janë të përfshirë në një skemë mashtrimi me lëshimin e  certifikatave dhe diplomave false.  Autoritetet italiane kanë provuar se  ky institucion I arsimit të lartë në vendin tonë I lëshonte këto dokumente për shtetas italianë që synonin të futeshin në administratë në këmbim të  8 mijë eurove.

Kolegji Universitar “WISDOM” në Tiranë sipas  dokumentave të QKR është themeluar në vitin  1996  me pronësi 100% shqiptare, por që prej 2021, administrator I saj është italiani Savino Cianci.

Për të “garantuar aktivizimin dhe përfundimin e favorshëm të procedurës së akreditimit të institucionit” prokuroria italiane dyshon se dy prej të arrestuarve I kanë dhënë rryshfet një zyrtari të administratës shqiptare.

Abc News  pyeti në  Ministri të Arsimit   zyrtarë të të cilës thanë se nuk mund të reagojnë për  çështje  në hetim.

Skema u zbulua pas denoncimit të një studenti  Italian në Prokurorinë e Tranit në Bari ndërsa policia italiane  vuri në pranga  nëntë persona për korrupsion dhe pastrim parash.

Nga skandali I shitjes së diplomave janë mashtruar rreth 300 persona ndërsa të ardhurat e përfituara nga ky aktivitet I paligjshëm llogariten 10 milionë euro.

Reagimi i plotë:

Ministria e Arsimit dhe Sportit, lidhur me Institucionin Jopublik të Arsimit të Lartë Kolegji Universitar WISDOM dhe aktivitetin e tij në Shqipëri, informon se:
Ministria e Arsimit dhe Sportit, bazuar në aktet nënligjore në fuqi, të ligjit nr 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë” ka nisur prej vitit 2022 dhe në vijim, procesin periodik të verifikimit të kontrollit të pajtueshmërisë së veprimtarisë të gjithë institucioneve të arsimit të lartë.

Në vijim të këtij procesi, për periudhën 2023-2024, MAS, bazuar në dispozitat ligjore në fuqi, përmes grupit të punës të ngritur për këtë qëllim, me përfaqësues të strukturave përgjegjëse të ministrisë, Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Arsimit të Lartë dhe Qendrës së Shërbimeve Arsimore, ka nisur verifikimin e pajtueshmërisë me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi të Kolegjit Universitar WISDOM.

Pas procedurave të ndjekura në kuadër të këtij procesi, dhe verifikimeve të kryera përgjatë periudhës së kontrollit në këtë institucion, në përfundim të tij, grupi i punës, në korrik të këtij viti, ka përfunduar raportin final të kontrollit, duke konstatuar shkelje ligjore, gjatë ushtrimit të veprimtarisë akademike, administrative dhe financiare të Kolegjit Universitar WISDOM për periudhën e ushtrimit të kontrollit, referuar dispozitave të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe akteve nënligjore në zbatim të tij.

Bazuar në rekomandimet e grupit të kontrollit, po ndiqet procedura ligjore në lidhje me mbylljen e veprimtarisë akademike të institucionit jopublik të arsimit të lartë Kolegji Universitar WISDOM.

Nënvizojmë se ndërkohë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, për vitin e ri akademik 2024-2025, nuk ka certifikuar kuota pranimi për Kolegjin Universitar WISDOM.

Pra Ministria e Arsimit dhe Sportit ka ndjekur jo vetëm me vëmendje, po edhe me hapa konkretë masash ligjore anomalitë e nxjerra nga inspektimet, duke siguruar mbrojtjen e studentëve bazuar në dispozitat ligjore në fuqi. MAS mbetet e përkushtuar për të garantuar cilësi dhe transparencë në të gjitha aspektet e sistemit arsimor, duke garantuar se të gjitha diplomat dhe certifikatat e lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë në vend janë në përputhje me standardet më të mira.

/abcnews.al/