Ministri Vengu përshëndet studentët e AFA: Shtojmë investimet për ta kthyer në një shkollë komandimi

schedule12:08 - 9 Tetor, 2024

schedule 12:08 - 9 Tetor, 2024

Në nisje të vitit të ri akademik, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu përshëndeti studentët e Akademisë së Forcave të Armatosura. Pjesë e këtij takimi ishin edhe ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, ministri i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës Ejup Maqedonci dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA gjeneralmajor Arben Kingji.

Gjatë fjalës së tij, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu evidentoi politikat e ndjekura nga qeveria Rama, në vitet e fundit për t’i dhënë uniformës së ushtarakëve dinjitetin e duhur. Ministri theksoi se synimi është që ta kthejmë Akademinë e Forcave të Armatosura në një shkollë komandimi, e cila ofron një karrierë të sigurt dhe një karrierë sfiduese me të gjitha avantazhet e benefitet që sjell uniforma.a

“Ne synojmë që ata që veshin këtë uniformë të jenë më të shumtë në të ardhmen, ndaj edhe do të investojmë fuqishëm, në mënyrë që akademia të hapet edhe më shumë në të gjithë spektrin e njohurive bashkëkohore. Padyshim do të investojmë më shumë në teknologji informacioni dhe Mbrojtjen Kibernetike sikundër kemi biseduar me të gjithë shtabin për mënyrën më të mirë se si akademia mund t’i përgjigjet nevojave të Strategjisë Kombëtare të Mbrojtjes, Strategjisë Kombëtare të Industrisë Ushtarake dhe aty ku akademia nuk mund të ofrojë këtë do të synojmë që përmes Ministrisë së Arsimit dhe universiteteve të tjera lider në vend të mundësojmë programe diplomimi të dyfishta për inxhinierë të specializuar, për inxhinierë armatimi, prodhim armatimi sikundër edhe për inxhinierë të fushës kibernetike apo të tekonlogjive që ju nevojiten.” – theksoi gjatë fjalës së tij ministri i Mbrojtjes.

Sipas ministrit Vengu, “Ka ardhur momenti që Forcat e Armatosura në tërësi ta shohin përgjegjësinë e tyre përtej detyrave të mbrojtjes dhe të integritetit dhe sovranitetit të vendit, të cilat janë parësore dhe do të vijojnë të mbeten të tilla. Ne së bashku me gjeneralët e Shtabit dhe stafit pedagogjik të AFA do të investohemi që Forcat e Armatosura të mund të luajnë rolin e një skuadre, e cila përgatit burime njerëzore që i vlejnë kombit, jo vetëm në FA, por edhe si civilë. Është shumë e rëndësishme që t’ju japim mundësinë në karrierën tuaj që të vijoni edhe karrierën civile dhe të keni një mundësi karrierë të gjithëanshme, sepse vendet më të zhVilluara të NATO kanë krijuar një dinamikë shumë të fuqishme midis unifomës, punës civile, rikthimit në uniformë sipas nevojave të atdheut në momente të caktuara.” – theksoi ministri Vengu.

Në fjalën e saj, ministrja e Arsimit zOgerta Manastirliu tha se e sheh me shumë krenari që shumë të rinj nga qytete të ndryshme të vendit kanë zgjedhur të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura. “Atdheu, nderi, detyra! Është një moto e bukur, frymëzuese e Akademisë së Forcave të Armatosura, Ministrisë së Mbrojtjes, që sot na ka mbledhur të gjithë së bashku në nisje të vitit akademik të Akademisë së Forcave të Armatosura, duke ju uruar shumë suksese të 80 studentëve të vitit të parë dhe më shumë se 300 studentëve të gjithë ciklit të studimit në Akademinë e Forcave të Armatosura”, – tha ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu

Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes së Kosovës z.Ejup Maqedonci, teksa uroi studentët, u shpreh se kohët e fundit dy ministritë e Mbrojtjes kanë thelluar bashkëpunimin e ndërsjelltë. “Trajnimet dhe ushtrimet e përbashkëta, edukimi i kadetëve të të dy vendeve në akademitë ushtarake të Shqipërisë dhe Kosovës dhe bashkëpunimi në fusha të tjera, përveçse janë duke ndikuar në shkëmbimin e njohurive, po ndihmojnë edhe në ndërtimin e raporteve ndërpersonale të ushtarakëve tanë, duke lidhur kështu edhe më shumë Kombin që jeton në dy shtetet tona” – deklaroi ministri Maqedonci./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!