Ministri serb “prish gojën” dhe fyen shqiptarët, kryeministri i kërkon llogari Vuçiçit

schedule14:57 - 3 Tetor, 2020

schedule 14:57 - 3 Tetor, 2020

Kryeministri Edi Rama reagon për deklaratën e ministrit të Mbrojtjes të Serbisë, Vulin lidhur me portin e Durrësit.

Rama përmes një postimi në Twitter i ka kërkuar llogari presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç për deklaratën e bërë nga ministri i cili tha se Rama po përpiqet që të krijojë “Shqipërinë  e Madhe” , referuar këtu diskutimeve dhe marrëveshjeve të nënshkruara në mbledhjen e dy qeverive Kosovë-Shqipëri ditën e djeshme.

Rama i ka bërë tag Vuçiç dhe teksa e pyet, shkruan se shpreson që kjo  deklaratë të mos jetë e vërtetë, në të kundërt sipas tij duhet ta ndëshkojë ministrin për këtë shfaqje të mjerë.

Vuçiç, Aa është kjo e vërtetë apo është një meme që tallet me trurin e kulluar dhe gojën e ndyrë që e mbajti të gjithë rajonin tonë në errësirë për shekuj? Unë uroj shumë që të jetë një meme, përndryshe kjo do të ishte një shfaqje e dëshpëruar e të menduarit të mjerë që duhet ta dënoni pa asnjë dyshim“, shkruan Rama.

Vulin akuzon Edi Ramën se po vazhdon punën për krijimin e një “Shqipërie të Madhe”. Ai reagon gjithashtu ndaj Bashkimit Evropian që sipas tij, ka heshtur deri më tani, duke mos bërë asgje.

Ministri serb i mbrojtjes tha se po përsëritet ajo që ai e quajti “gënjeshtra që përsëritet se “Shqipëria e Madhe” është një Shqipëri e natyrshme dhe se serbët e bashkuar në një shtet janë një kërcënim për paqen”.

Gjithashtu ministri serb në reagimin e tij një ditë më parë ka përdorur fjalën fyese ndaj shqiptarëve, “shiptar” ose “Albanac”, në serbisht.

Vulin foli për provokime të reja nga Rama, duke thënë se “”Shqipëria e Madhe” është njoftim i një katastrofe të madhe, thyerje dhe shkatërrimi të shteteve dhe kombeve në Ballkan.”

Vetëm serbët e bashkuar mund të ndalojnë “Shqipërinë e Madhe” dhe sa më shpejt të bashkohemi institucionalisht, aq më shpejt do të fillojë koha e paqes në Ballkan. Atë që ua jepni Shqiptarëve, nuk mund t’ua ndaloni serbëve,” ka thënë ministri serb.e.su./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!