Ministri izraelit i Mbrojtjes: Do t’i shkatërrojmë të gjitha tunelet në Gaza

schedule15:15 - 12 Tetor, 2025

schedule 15:15 - 12 Tetor, 2025

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz njoftoi sot se ushtria izraelite do të shkatërrojë të gjitha tunelet e Hamasit në territorin palestinez, pas lirimit të pengjeve të mbajtura në Rripin e Gazës.

Në ditën e tretë të armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit, Katz theksoi në një deklaratë se këto operacione do të kryhen brenda kuadrit të “mekanizmit ndërkombëtar (…) nën mbikëqyrjen e Shteteve të Bashkuara”.

“Sfida e madhe e Izraelit pas fazës së kthimit të pengjeve do të jetë shkatërrimi i të gjitha tuneleve terroriste të Hamasit në Gaza”, tha ai.

“Kam urdhëruar ushtrinë të përgatitet për këtë mision”, shtoi ai.

Hamasi ka një rrjet tunelesh nën Rripin e Gazës, të përdorur në veçanti nga krahu i tij i armatosur.

Izraeli ka pretenduar se ka shkatërruar shumë prej tyre në më shumë se dy vjet luftë, të shkaktuar nga sulmi i paprecedentë i lëvizjes islamike ndaj Izraelit më 7 tetor 2023.

Sipas një marrëveshjeje armëpushimi me Izraelin të njoftuar të enjten, Hamasi duhet të dorëzojë 48 pengjet e mbetura në Gaza, të gjallë ose të vdekur, të gjithë përveç njërit prej të cilëve u rrëmbyen gjatë atij sulmi.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!