Ministri i Jashtëm i Ukrainës Dmytro Kuleba ka thënë se do të bëjë thirrje për më shumë armë, kur të takohet nesër me homologët e tij të NATO-s dhe G7-ës.
Duke folur në një video-lidhje, Kuleba tha: “Tema kryesore e diskutimit tim në Bruksel do të jetë furnizimi me të gjitha armët e nevojshme për Ukrainën”.
Ministri i Jashtëm, i cili pritet të marrë pjesë nesër në bisedimet e NATO-s në Bruksel, u bëri thirrje aleatëve të huaj që të vendosin sanksionet maksimale ndaj Rusisë.
“Mënyra e vetme për të shmangur zgjerimin e luftës ruse përtej Ukrainës është të na siguroni mbështetje të plotë. Sanksione maksimale. Të gjitha armët. Politika e ‘mos provokimit të Putinit‘ ka dështuar keq vitet e kaluara,” tha zoti Kuleba.
Më herët sot, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, thanë se dy ditët e bisedimeve në selinë e aleancës do të fokusohen kryesisht në luftën në Ukrainë dhe të ardhmen e organizatës ushtarake.
Stoltenberg tha se ministrat e NATO-s do të diskutojnë “se si NATO duhet të vazhdojë të jetë aleanca më e fortë në histori, duke u përballur me një botë më të rrezikshme dhe realitetin e ri të sigurisë”.