Ndonëse në Kosovë ende nuk kanë arritur vaksinat anti-COVID, në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se tashmë janë identifikuar hapësirat se ku do bëhet vaksinimi për qytetarët e Kosovës.
Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj thotë se QKFM-të, spitalet por edhe palestrat sportive janë objektet ku do bëhet shpërndarja e vaksinës.
Zemaj po ashtu ka deklaruar se shumica e profesionistëve shëndetësorë që do i vaksinojnë qytetarët e Kosovës me vaksinën kundër koronavirusit kanë kryer trajnimin.
“Shumica prej tyre (profesionistëve shëndetësorë) kanë përfunduar trajnimin, kjo ka filluar edhe më herët dhe që kemi qenë në pritje të vaksinimit, mund të ketë trajnime të vazhdueshme, por është vaksinë në fund të fundit si të gjitha vaksinat nuk ka ndonjë filozofi apo ndonjë aspekt të ndryshëm teknik apo shkencor”, deklaroi ministri i Shëndetësisë.
Zemaj ka treguar se vaksinimi do të bëhet në Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare nëpër çdo komunë. Madje ai thotë se vaksinimi do ndodh edhe në Shtëpitë e të Moshuarve, por edhe në palestra sportive në momentin kur do kemi një vaksinimin masiv.
“Jo absolutisht kjo do jetë edhe nëpër komuna, nëpër Qendrat e Mjekësisë Familjare, spitale, shtëpi të pleqve , do iu mundësojmë qytetarëve që të jenë sa më afër dhe t’u ofrohet kjo mundësi. Do të shohim objektet më të përshtatshme ne në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës tash në aspektin e prioritetit që kemi për mjekët tanë ka hapësira që tash janë identifikuar pa mundësi grumbullimi apo edhe stërngarkimi. Nëse na nevojitet ndonjë qendër e madhe kur të fillojë numri i madh i të vaksinuarve, i kemi identifikuar edhe objektet e tjera sikurse palestrat sportive që mund ta ofrojnë atë komoditet edhe mund të krijojmë një mundësi më të mirë të vaksinimit”, theksoi Zemaj.