Autoritetet në Kosovë kanë bërë të ditur se kanë përfunduar të gjitha procedurat për shpronësimin e tokave në Babaj të Bokës që gjendet në komunën e Gjakovës, dhe në Aeroportin e Gjakovës.
Shpronësimi i këtyre tokave dhe kalimi i tyre si pronë e Qeverisë së Kosovës do të mundësojë fillimin e zbatimit të projekteve strategjike për ushtrinë e Kosovës në këto dy zona, shkruan REL.
Këtë e kanë bërë të ditur në një konferencë për media të enjten ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe ai i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu.
“Aeroporti i Gjakovës po funksionalizohet për qëllime të mbrojtjes dhe Babaj e Bokës do të shndërrohet në zonë operacionale të FSK-së, në të cilën do të ndërtohen poligone taktike sipas standardeve të NATO-s”, ka thënë ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.
Ndërkaq në Aeroportin e Gjakovës, sipas Mehajt, planifikohet ndërtimi i objekteve të ndryshme me qëllime operacionale për ushtrinë e Kosovës.
Realizimi i këtyre projekteve, sipas tij, po bëhet me qëllim të rritjes së kapaciteteve trajnuese të Forcës së Sigurisë së Kosovës./abcnews.al