TIRANË- Ministri i Energjisë së Azerbajxhanit, Parviz Shahbazov, mbajti fjalën në mbledhjen e komiteti të përbashkët Shqipëri-Azerbajxhan që po mbahen në Tiranë. Ai theksoi se vendi i tij do t’i qëndrojë afër Shqipërisë dhe do ta mbështesë në projektet e saj në sektorë të ndryshëm, ndërsa fokusin kryesor e vuri në sektorin e energjisë.
Ministri azer vlerësoi projektet e Shqipërisë në fushën e energjisë, ndërkohë shtoi se në një të ardhme të afër, vendi synon të jetë një ofertë jo vetëm për kërkesat e brendshme, por edhe ato rajonale dhe më gjerë. Këto deklarata Shahbazov i bëri në krah të homologes shqiptare Belinda Balluku.
Fjala e plotë:
Pikë së pari do të doja t’ju shprehja mirënjohjen time më të sinqertë për kolegen time dhe Zëvendëskryeministren e Shqipërisë për ftesën që na bëri në qytetin e mrekullueshëm të Tiranës dhe që mbajti mbledhjen e parë të grupeve të punës me Qeverinë e Azerbajxhanit. Gjithashtu, ky takim i grupeve të punës ishte i rëndësishëm në pikëpamjen e rritjes së nivelit të diskutimit në komisione ndërqeveritare dhe që tregon marrëdhënien aktuale të dy vendeve tona.
Vitin e kaluar patëm shkëmbim vizitash reciproke nga kryetarët e shteteve tona respektive dhe në të cilat u konkludua të zhvillojmë dhe intensifikojmë marrëdhënien tonë dhe sot ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të diskutuar të gjitha sferat e ekonomisë dhe energjia ishte një nga pikat më të rëndësishme të bashkëpunimit tonë.
Është e rëndësishme të theksojmë që Shqipëria dhe Azerbajxhani janë pjesëmarrës në projektet e rëndësishme infrastrukturore të energjisë, korridorin jugor të gazit dhe Shqipëria ka plane shumë ambicioze për zhvillimin e sektorit energjetik të vendit, të cilat do të jenë të rëndësishme, jo vetëm në pikëpamjen e kërkesës së brendshme për energji, por gjithashtu për të gjithë rajonin.
Azerbajxhani është i vendosur të mbështesë Shqipërinë në këto iniciativa dhe të punojmë bashkë për të gjitha diskutimet në sektorin energjetik. Por nuk kemi kufizuar diskutimin vetëm për energjinë, por gjithashtu biseduam për tema të tjera me rëndësi zhvillimi ekonomik si industria, agrikultura, transporti, infrastruktura, teknologjia moderne dhe ramë dakord për të zhvilluar këtë dialog.
Gjithashtu, diskutuam marrëdhëniet kulturore ndërmjet vendeve tona dhe dakordësuam që eventi tjetër i rëndësishme i radhës i kulturës do të organizohet këtu në Shqipëri. Sigurisht dua të përmend që ishte një vendim i drejtë dhe madhor i marr nga të dyja vendet tona që të hapim ambasada në kryeqytetet tona, e cila do të jetë vendimtare në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale/abcnews.al

