Ministri i Brendshëm francez Gerald Darmanin tha të hënën se në vend ishte rivendosur rendi publik, ndërsa vizitoi një zyrë postare të dëmtuar në qytetin Reims. Por ai shtoi se policia, do të vazhdojë të jetë e mobilizuar, në të gjithë vendin.
“Duhet të marrim pak kohë për të reflektuar dhe të përpiqemi të flasim me njerëzit për projektet e strehimit. Po kështu jemi te vendosur edhe ndaj banditëve. Mendoj se ky është ekuilibri i mirë dhe nuk duhet të gjejmë justifikime sociale aty ku nuk ka”, tha ai.
Edhe në Nanterre, një lagje në periferi të Parisit, atje ku u vra 17 vjeçari, situata dukej se ishte qetësuar.
“Shpresojmë që drejtësia për Nahelin të vendoset. Po kështu të dëgjohet dhe respektohet thirrja për të ndaluar dhunën dhe shkatërrimet, siç kërkoi familja e Nahelit dhe në veçanti gjyshja e tij”, tha Kryetari i Bashkisë së Nanterres Patrick Jarry.
Megjithatë gjatë natës, duke u gdhirë e hënë, ndërtesat publike, makinat dhe koshat e plehrave, vazhduan të ishin objekt i vandalizmit. Ministria e Brendshme njoftoi se kishte kryer 157 arrestime gjatë natës, nga 3354 arrestime gjithsej, që nga 27 qershori, kur nisën trazirat.
Dhuna pasoi vdekjen e 17-vjeçarit të identifikuar si Nahel M. Ai u ndalua nga policia nën dyshimet për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Oficeri i policisë i përfshirë në ngjarje tha se druhej se adoleshenti do të godiste dikë me makinën e tij, por aktivistët thonë se vrasja e 17 vjeçarit, ndodhi për shkak të etnisë së tij.
“Këto janë ato që ndodhin kur je francez, por me origjinë të huaj. Ne nuk konsiderohemi francezë. Ata shohin vetëm ngjyrën e lëkurës sonë, prej nga vijmë. Nuk mund të vrasësh dikë pa arsye… kjo duhet të ndalet”, tha Tracy Ladji, përfaqësuese e organizatës ‘SOS Racisme’, pjesëmarrëse në një nga protestat, që pasuan vrasjen e 17 vjeçarit.
Në një deklaratë të zyrës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut thuhej se ngjarja duhet t’i shërbejë Francës si një motiv për të trajtuar seriozisht çështjet e thella të racizmit dhe diskriminimit në zbatimin e ligjit.
Prej 27 qershorit rreth 45,000 oficerë u dislokuan në mbarë vendin për të vënë nën kontroll situatën. Sipas ministrisë së Brendshme në të gjithë vendin janë sulmuar me dhjetëra oficerë policie dhe rreth 300 automjeve dhe 34 godinave u është vënë zjarri.
Por qetësimi i situatës në vend nuk i ka shuar pikëpyetjet se çfarë pritet të ndodhë më pas në Francë./VOA