Ministri gjerman në Kosovë: Idetë për ndryshim kufijsh janë joreale dhe të rrezikshme

schedule17:35 - 22 Prill, 2021

schedule 17:35 - 22 Prill, 2021

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas u shpreh sot në Prishtinë se idetë, të cilat kanë qarkulluar së fundmi rreth ndryshimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor, përveç që janë joreale, janë edhe të rrezikshme.

“E konsiderojmë të rrezikshëm edhe vetëm diskutimin që bëhet për këtë çështje”, ka thënë Maas pas takimit të zhvilluar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ai ka thënë se dëshiron që ideja e fundit në këtë drejtim të futet shpejt në sirtar dhe të jetë pjesë e së kaluarës.

Sa i përket raportimeve se kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha i ka dorëzuar Brukselit zyrtar, një non-paper, në të cilën besohet të jetë thënë se procesi i dezintegrimit të ish-Jugosllavisë nuk është finalizuar, Maas ka thënë se nuk është në di për projekte të tilla.

“Nuk e di nëse ka projekte të tilla. Fakti që është folur për non-paper, është termi i duhur. Duhet të mbetet ashtu. Sa i përket ideve për ndryshime të kufijve, Qeveria gjermane i refuzon fuqishëm ato sepse një zgjidhje e tillë nuk çon në zgjidhje të problemeve”, ka thënë ai, shkruan REL.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në anën tjetër, ka thënë se pas qarkullimit të këtyre raportimeve, ka kontaktuar autoritetet sllovene, të cilat i kanë thënë se një lajm i tillë nuk është i vërtetë.

“E kemi ritheksuar dhe e ritheksojmë se ide të tilla janë të rrezikshme për rajonin dhe përtej rajonit”, ka deklaruar ajo./ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!