E ndërsa sot pritet të publikohet progres-raporti për Shqipërinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor mbi ecurinë e reformave të integrimit drejt Bashkimit Europian, ministri i Shtetit gjerman për Evropën, ka botuar një shkrim për në prestigjiozen “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
Ministri Michael Roth (SPD) kërkon fillim të shpejtë të bisedimeve të pranimit në BE. “Tani është në dorën e BE-së për të ofruar”, shkruan Roth në një artikull për “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. “Ne kemi dhënë fjalën dhe duhet të mbajmë premtimet tona”, vijon më tej Roth. “Progres i prekshëm është bërë në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri”, shkruan ai.
Shkrimin e tij e ka mirëpritur edhe Kryeministri Edi Rama, i cili e ka shpërndatë në rrjetin e tij social “Facebook”, ku shkruan: “Një editorial shumë kuptimplotë sot nga Ministri i Shtetit gjerman për Evropën, në prestigjiozen Frankfurter Allgemeine Zeitung ????”.
Madje kreu i qeverisë ka shkëputur edhe një paragraf nga shkrimi i ministri gjerman në të cilën shkruhet: “Në Shqipëri, në shikim të parë, situata duket e komplikuar. Sepse opozita në mënyrë të përsëritur ka zgjedhur të transmetojë imazhe të dhunshme, në vend të angazhimit konstruktiv në konkurrencën politke të ideve me qeverinë në Parlament, nga i cili ata kanë zgjedhur të largohen”./abcnews.al