Ministri Gjerman i Drejtësisë: Të ngrihen Gjykatat dhe SPAK

schedule15:14 - 16 Shtator, 2019

schedule 15:14 - 16 Shtator, 2019

Ministri gjerman i drejtësisë ndodhet në Shqipëri për të takuar krerët më të lartë të shtetit. Kristjan Lange tha sot se për Gjermaninë reforma në drejtësi është kusht për negociatat, ndërsa shtoi se tashmë është e rëndësishme që të ngrihet Gjykata Kushtetuese, ajo e Lartë dhe SPAK-u, në mënyrë që vendi të përparojë drejt BE-së.

Ky është Kristjan Lange. Sekretar i shtetit gjerman për drejtësinë. Ai ndodhet në Tiranë për një vizitë tre ditore për të takuar drejtuesit më të lartë të shtetit, nga Ilir Meta e Edi Rama deri tek drejtuesit e institucioneve të drejtësisë.

Ministri gjerman u takua edhe me Taulant Ballën nga ku nuk u prononcua, por më pas, ambasada saktësoi qëllimin e vizitës përmes një deklarate me shkrim.

“Me vizitën time dhe bisedat që po zhvilloj në Shqipëri dëshiroj të krijoj një ide për gjendjen e reformës në drejtësi. Reforma në drejtësi është një parakusht i rëndësishëm për procesin e përafrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Qeveria Federale mbështet perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor”.

Gjermania i njeh rezultatet e Shqipërisë në këtë drejtim, por kërkon më shumë.

“Unë përshëndes faktin që reforma në drejtësi po përparon në mënyrë të vazhdueshme dhe që institucionet e krijuara të drejtësisë kanë filluar punën. Tani më duket e rëndësishme që ndër të tjera Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, SPAK dhe BKH të bëhen funksionale në muajt e ardhshëm. Në mënyrë që reforma në drejtësi të marre më tej vrull, duhet që të gjithë institucionet e përfshira të vazhdojnë të punojnë në mënyrë profesionale dhe të fokusuar”.

Ministri gjerman lë të kuptohet se për qeverinë federale, rezultatet konkrete të reformës në drejtësi, janë ato që do të ndihmojnë integrimin.

“Unë jam plotësisht i bindur që shteti i së drejtës në Shqipëri do të forcohet në mënyrë afatgjatë nëpërmjet reformës në drejtësi – me gjyqtarë dhe prokurorë profesionistë dhe të pavarur. Në fund këto përpjekje do të kontribuojnë, që shqiptarët të kenë përsëri më shumë besim në sistemin e drejtësisë dhe që Shqipëria të vazhdojë rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian”.

Taulant Balla tha se ministri Lounge i kishte bërë me dije se Partia Social Demokrate që ai përfaqëson, do të votojë pro çeljes së negociatave për Shqipërinë gjatë mbledhjes së Bundestagut gjerman javën e ardhshme. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!