Ministri gjerman apel për procedura me të shpejta për azilkërkuesit

schedule14:37 - 12 Mars, 2018

schedule 14:37 - 12 Mars, 2018

Horst Seehofer pret të emërohet ministër i brendshëm në Gjermani në ekzekutivin që do të drejtohet nga kancelarja Anela Merkel. AI u shpreh se duhen procedura më të shpejta për azilin dhe dëbime më të vendosura të atyre që u refuzohet kërkesa.

Në një intervistë për gjermanen Bild am Sonntag, ministri i ardhshem i Brendshëm Seehofer u shpreh se duhen procedura më të shpejta për azilin dhe dëbime më të vendosura të atyre që u refuzohet kërkesa. Horst Seehofer nga radhët e unionit kristian social në Bavari, këmbëngul që menjëherë pas marrjes së detyrës si ministër i Brendshëm të takohet me të gjithë punonjësit dhe institucionet vartëse për të përpiluar një “masterplan për procedura më të shpejta për azilin dhe për dëbime të vendosura.

Ai thekson se numri i riatdhesimeve duhet të rritet ndjeshëm dhe autoritetet gjermane duhet të jenë më të ashpër sidomos kundrejt kriminelëve dhe personave të rrezikshëm në radhët e azilkërkuesve. Ai deklaroi se “toleranca ndaj shkelësve të ligjit do të jetë zero”.

Kurse zëvendëskryetarja e Socialdemokratëve gjermanë, Manuela Schvesig, i bëri thirrje partisë së saj që të diskutojë hapur për deficitet në integrimin e refugjatëve. Schvesig kritikoi se edhe SPD-ja ua ka bërë jashtëzakonisht të lehtë radikalëve dhe ekstremistëve të djathtë. “AfD nxit frikëra që i duhen për për suksesin e saj. Detyra e SPD-së është t’i kuptojë frikërat ekzistuese, t’i trajtojë ato dhe të ofrojë zgjidhje ” u shpreh ajo. /abcnews.al