Ministri francez: Sa vite mund të zgjasë anëtarësimi i Ukrainës në BE

schedule16:44 - 22 Maj, 2022

schedule 16:44 - 22 Maj, 2022

Ministri francez për Evropën, Clement Beaune, ka thënë se çfarëdo oferte e Bashkimit Evropian për anëtarësim të Ukrainës në bllok do të merrte 15-20 vjet kohë për finalizim të procesit.

“Duhet të jemi të sinqertë. Nëse thoni se Ukraina do t’i bashkohet BE-së në gjashtë muaj, brenda një viti apo dy, jeni duke gënjyer”, ka thënë Beaune për një radio franceze më 22 maj.

“Mund të zgjasë 15-20 vjet, ky proces merr kohë”.

Ai ka thënë se nuk dëshiron të krijojë iluzione te ukrainasit apo t’i gënjejë ata.

Këto komente kanë ardhur pasi presidenti francez, Emmanuel Macron ka sugjeruar që Ukraina të ftohet për t’iu bashkuar një komuniteti politik “të lidhur” me BE-në.

“Neve nuk na duhen kompromise të tilla”, ka thënë Zelensky në Kiev, në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin portugez, Antonio Costa më 21 maj.

“Sepse, më besoni, nuk do të jetë kompromis me Ukrainën në Evropë. Do të jetë kompromis në mes të Evropës dhe Rusisë”, ka thënë Zelensky.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar më 24 shkurt, atë që e quan “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur me sanksione të ashpra ndaj Rusisë, duke shënjestruar ekonominë e shtetit dhe oligarkët rusë. /REL

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!