Ministri francez i Drejtësisë paralajmëroi “përgjigje të shpejtë, sistematike dhe të rreptë” në rast të dhunës gjatë festimeve të Ditës së Bastiljes.
“Nëse disa do të donin të prishnin festimet, unë u them atyre se drejtësia do të vendoset”, tha të enjten Eric Dupond-Moretti për transmetuesin BFMTV, përpara festimeve të Ditës së Republikës.
Dita e Bastiljes është një festë kombëtare në Francë që fillon me paradë ushtarake dhe përfundon me fishekzjarrë.
Qeveria franceze ka frikë se trazirat mund të shpërthejnë sërish, pasi një oficer policie vrau 17-vjeçarin Nahel M. në periferinë e Parisit më 27 qershor.
“Kam kërkuar nga gjyqtarët përgjigje të shpejtë, sistematike dhe të rreptë, e di që mund të mbështetem tek ata”, shtoi Dupond-Moretti.
Në prag të Ditës së Bastiljes, të enjten në mbrëmje u organizuan protesta në Francë, ku ministri i Brendshëm Gerald Darmanin tha se nata e 13 korrikut ishte relativisht e qetë në krahasim me vitin e kaluar.
Ministria e Brendshme tha se 218 automjete u dogjën dhe 97 persona u arrestuan, sipas të përditshmes Le Figaro.
Protestat shpërthyen në Francë në fund të muajit të kaluar kur një oficer policie vrau Nahel M., një djalë me origjinë algjeriane, gjatë një kontrolli trafiku në Nanterre në periferi të Parisit, pasi ai injoroi urdhrat për të ndaluar.
Pas vrasjes së Nahelit, mijëra njerëz dolën në rrugë në Francë.
Protestuesit dogjën automjete dhe ndërtesa publike, duke përfshirë bashki dhe shkolla, kurse rreth 4.000 njerëz u arrestuan, kryesisht adoleshentë.