Çekia mbështet çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Është ky qëndrimi i Ministrit të Punëve të Jashtme të shtetit çek Tomas Petricek, i cili nuk do ta linte me kaq kontributin e integrimit të dy vendeve, pasi ka ndërmarrë disa vizita me homologët e shteteve evropianë për t’i bindur për marrjen e një vendim pozitiv në mbledhjen e Këshillit që do të mbahet në qershor.
Për qeverinë çeke, Shqipëria i ka përmbushur detyrat e shtëpisë. Tashmë i takon Bashkimit Evropian të mbajë premtimet ndaj vendit tonë. ky qëndrim i qartë dhe i prerë u shpreh nga ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë pas takimit me ministrin në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.
“Zgjerimi ka dy anë ku duhen përmbushur premtimet. Duhen përmbushur dhe premtimet tona. Në aspektin praktik kam përmendur faktin se Shqipëria ka ndërmarrë një sërë reformash sidomos në gjyqësor dhe se detyrat që i kemi caktuar Shqipërisë për të bërë në pjesën më të madhe janë realizuar prandaj dhe parakushti për çeljen e negociatave është përmbushur. Do të shkoj në Francë në prill dhe do të diskutoj dhe me partnerin francez. Kam synim që të krijoj një atmosferë pozitive në mënyrë që të merret një vendim pozitiv për çeljen e negociatave”.
Më shumë do të bëjë Shqipëria në këtë drejtim e siguroi ministri në detyrë Gent Cakaj gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.
“Kohëve të fundit është bërë mbase tipike të folet për lodhje të zgjerimit të BE-së. Por kjo lodhje e zgjerimit nga BE, as sesi nuk mund të manifestohet në lodhje të shqipërisë për të vazhduar punën për reformat e tjera. Është e rëndësishme që të vazhdojmë me reformat dhe të mbesim shpresëplotë që vendet anëtare të BE-së do t’i përgjigjen pozitivisht progresit të ndërmarrë në Shqipëri gjatë kësaj periudhe”, tha Cakaj.
Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës Çeke është i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri është pritur në një takim edhe nga Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi./abcnews.al

