Pushtimi rus në Ukrainë dhe kërcënimet e mëtejshme ndaj Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve të saj kanë “shumë ngjashmëri” me periudhën trevjeçare që i parapriu Luftës së Dytë Botërore, deklaroi ministri britanik i Forcave të Armatosura, Al Carns.
Al Carns, ish-gjeneral i forcave speciale të Marinës Mbretërore, theksoi se Ukraina ndodhet në vijën e parë të mbrojtjes së Evropës, ndërsa sulmi i gjerë i presidentit rus, Vladimir Putinit po hyn në vitin e pestë.
Megjithatë, ministri paralajmëroi se Mbretëria e Bashkuar nuk është imune ndaj ngjarjeve dhe se Rusia po sulmon Mbretërinë e Bashkuar dhe interesat e saj në katër fronte të ndryshme.
Carns foli për kërcënimet e përditshme në Atlantikun e Veriut dhe Arktik, sulmet kibernetike, si dhe rreziqet nga lajmet e rreme dhe format e tjera të dezinformatave që përhapen në internet. Qëllimi i këtyre veprimeve, sipas tij, është të mbjellin dhe thellojnë ndarjet brenda shoqërisë britanike, por edhe midis Mbretërisë së Bashkuar dhe aleatëve të saj.
I pyetur për të komentuar deklaratat e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili tha se Putini me pushtimin e tij në Ukrainë ka filluar tashmë Luftën e Tretë Botërore, Carns tregoi se sheh ngjashmëri të qarta midis sfidave aktuale dhe situatës globale politike tre vitet para Luftës së Dytë Botërore, shkruan skynews.


