Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka pritur në Tiranë homologun italian, Matteo Piantedosi. Ky i fundit, shprehu ngushëllimet dhe solidaritetin e tij për familjen dhe organizatën e Policisë së Shtetit për humbjen e jetës së efektivit të shqiponjave në Fier.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla u shpre se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit italian, Guardia di Finanza dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese italiane është në nivelin më të lartë dhe më efikas.
“Takimi me Ministrin e Brendshëm italian Matteo Piantedosi, i cili shprehu ngushëllimet dhe solidaritetin e tij për familjen dhe organizatën e Policisë së Shtetit për humbjen e jetës së efektivit të shqiponjave në Fier. Bashkëpunimi me Policinë e Shtetit italian, Guardia di Finanza dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese italiane është në nivelin më të lartë dhe më efikas. Kemi në veprim 14 ekipe të përbashkëta hetimore për goditjen e krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike dhe ato sintetike, krimin kibernetik, financiar etj. Jemi të angazhuar në operacione të përbashkëta edhe në kuadër të Interpol dhe Europol. Gjatë sezonit turistik do të mbështetemi me forca policore dhe mjete motorike lundruese të policisë italiane, me qëllim garantimin e sigurisë publike dhe detare të pushuesve”, shkruan Balla në Facebook.