Shqipëria priti për herë të parë 40 ministra e përfaqësues të turizmit duke e transformuar Tiranën në kryeqytetin europian të turizmit. Kryeministri Edi Rama, në fjalën që mbajti në takim, vuri theksin në transformimin e vendit pas një izolimi të frikshëm komunist dhe në mbrojtjen e natyrës.
Ekspertja për turizmin e qëndrueshëm, Eva Kushova, në një intervistë për “Money Report” me gazetaren Genta Dobra e cilësoi këtë takim si një marketing të jashtëzakonshëm për vendin.
“Marketingu është i jashtëzakonshëm dhe fakti që të gjithë janë zëri më i mirë i turizmit dhe duke e parë vetë me sytë e tyre dhe Tiranën dhe zhvillimet por edhe duke dëgjuar me shifra nga ministrja dhe kryeministri patjetër që marrin impakt real direkt në mënyrë që ta kenë parasysh Shqipërinë se po performon shumë mirë në fushën e turizmit.”, u shpreh Kushova.
Ajo thotë se 2024 pritet që të ketë një boom turistësh nisur edhe nga numri i shumtë që ka ardhur në muajt e parë të vitit. Ajo shtoi se është shumë e rëndësishme të punohet me problematika të tilla si infrastruktura në mënyrë që turizmi të mos përqendrohet vetëm në zona urbane por edhe në ato rurale.
“E para është pjesa e infrastrukturës që lë shumë për të dëshiruar që tek transporti. Ka mbetur turizmi vetëm i përqendruar në qendra urbane dhe duhet shpërndarë, të shkojë nëpër fshatra. Gjë e mirë që të mbrojmë natyrën por për të shkuar te natyra nuk ka akses në pjesën më të madhe. Duhet të shpërndajmë që të mos mbytemi nga turizmi masiv.
Shumë prej tyre që e kanë vizituar Tiranën pyesin se ku të shkojmë. Ka njerëz që rikthehen plot dhe kërkojnë ata që vijnë për herë të dytë apo të tretë zgjedhin destinacione outdoor. Kemi kërkesa edhe për pjesën e turizmit autentik, ture folku. Përveç tureve outdoor, ka shumë kërkesa edhe për pjesën autentike si artizanati. Tirana do të jetë full gjatë vitit por edhe gjithë Shqipëria. Pjesa tjetër është ende në eksplorim. Kështu që do të jetë vit i mirë, problemi të mos na kthehet në boomerang me pjesën e trafikut të rënduar apo mungesa e stafit.”, u shpreh ekspertja./abcnews.al

