Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit në Prokurorinë Speciale këtë të premte. Peci, ish ministër i bujqësisë gjatë mandatit Kurti 2, u mor në pyetje për grantet e ndara nga Ministria e Bujqësisë në kohën kur dikasteri drejtohej prej tij.
Prokuroria Speciale ka intensifikuar hetimet për “grantet” e Ministrisë së Bujqësisë, nga të cilat dyshohet se përfituan familjarë të pushtetarëve, përfshirë vëllain e ish-deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.
Në pyetje nga prokuroria është marrë edhe ministri në detyrë i shëndetësisë Arben Vitia. Jashtë prokurorisë ai nuk ka pranuar të jap detaje për “vizitën” në institucionin e drejtësisë.


