Ministrat e Jashtëm të G7 i bënë thirrje Rusisë që të ndalojë sulmet dhe veprimet e saj kërcënuese dhe të zhbllokojë portet ukrainase të Detit të Zi për eksportet e ushqimit.
Siç raporton The Guardian, ata thanë në një deklaratë se Rusia po përkeqëson pasigurinë ushqimore me bllokadat e saj dhe sulmet me bomba në infrastrukturën kryesore në Ukrainë.
Ministri i Jashtëm japonez, Yoshimasa Hayashi u tha gazetarëve se ai dhe homologët nga vendet e G7 ranë dakord se pushtimi rus i Ukrainës kishte sjellë krizën aktuale globale të ushqimit dhe se Moska ishte përgjegjëse për këtë çështje.
Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, tha se bota po përballet me një krizë të paprecedentë urie globale me një rrezik real zisë së bukës në shumë vende këtë vit.
“Nuk mund të ketë zgjidhje efektive për krizën nëse Ukraina dhe Rusia, të cilat prodhojnë rreth 29% të eksporteve globale të grurit, nuk gjejnë një mënyrë për të rifilluar siç duhet tregtinë”, tha ai.
Guterres nuk foli për bisedimet me Rusinë dhe Ukrainën në Turqi për të diskutuar një plan të OKB-së mbi një korridor të mundshëm të Detit të Zi për eksportimin e drithërave ukrainase.
“Deklaratat publike mund të pengojnë suksesin”, tha ai. /abcnews.al