Ministrat e Jashtëm të BE: Të aprovojmë konkluzionet për hapjen e negociatave

schedule12:11 - 18 Qershor, 2019

schedule 12:11 - 18 Qershor, 2019

Që në fillim të takimit, ministrat e jashtëm janë shprehur se do të finalizojnë konkluzionet për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në Bashkimin Evropian.

“Ne duhet të aprovojmë konkluzionet për paketën e zgjerimit të prezantuar nga Komisioni Evropian. Rumania ka bërë shimë që prej fillimit. Mbetemi shumë të angazhuar për të punuar për rajonin, me rajonin dhe për të avancuar procesin e zgjerimit. Rumania, që ka presidencën e Bashkimit Evropian po përpiqet për arritjen e hartimit të një teksti që të jetë angazhues dhe konstruktiv dhe njëkohësisht të ruajë ekuilibrat strategjikë dhe rëndësinë strategjike të rajonit të Ballkanit Perëndimor për Bashkimin Evropian.  Të gjithë kemi folur për marrëveshjen e Prespës. Është shumë e rëndësishme që të nënvizohet rëndësia strategjike e rajonit të Ballkanit”, tha George Ciamba, ministër i Rumanisë për çështjet evropiane.

“Konkluzionet nuk arritën të aprovoheshin nga ambasadorët e përhershëm, por këtë gjë duhet ta bëjmë sot. Çështja është mbi të gjitha procedurale lidhur me votimin e Bundestagut pas verës dhe me procesin e hapjes së negociatave të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, tha Enzo Moavero, ministër i jashtëm i Italisë.

Strategjia e zgjerimit mbetet për ne shumë specifike, pasi bëhet fjalë për një përgjegjësi të madhe për paqen dhe stabilitetin në gjirin e Evropës. Ne do të analizojmë raportet e Komisionit dhe në këtë kontekst, zhvillimet pozitive në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri. Një vit më parë, këtyre dy vendeve u dhamë detyra shtëpie, të cilat sipas mendimit tim tashmë janë kryer. Maqedonia e  Veriut ka arritur diçka historike me marrëveshjen e Prespës, e cila mund të shërbejë si shembull për rajonin lidhur me guximin dhe angazhimin e treguar për pajtim pas një konflikti prej gati tre dekadash. Ne duhet ta shpërblejmë këtë, përndryshe Bashkimi Evropian rrezikon të humbasë  një pjesë të besueshmërisë së tij. Qëndrimi ynë është që të vazhdojmë diskutimet në mënyrë që të hapim negociatat sa më shpejt që të jetë e mundur. Është vetëm fillimi i negociatave të gjata dhe të vështira dhe është një çështje e stabilizimit të demokracive, forcimit të shtetit ligjor dhe pluralizmit të opinionit në këto vende. Pa Bashkimin Evropian, kjo nuk do të funksiononte”, tha Michael Roth, ministër gjerman i shtetit për çështjet evropiane.

I pyetur lidhur me një dritë jeshile për Maqedoninë e Veriut, ministri Roth ka treguar qartë, se vendimi pritet në tetor.

 “Raportet e zgjerimit janë dorëzuar shumë vonë. Bundestagu nuk kishte kohë të mjaftueshme për të shqyrtuar raportet. Unë mund të kuptoj që ka kritika për këtë nga vende të tjera, por si përfaqësuesi i qeverisë gjermane unë jam i detyruar t’i jap më shumë kohë Bundestagut. Mendoj se në tetor do të gjejmë një marrëveshje”, tha ai.

Ministrat e jashtëm priten të aprovojnë konkluzionet për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut para orës 15h30./ABC News Albania 24/7